Nxehet ​Lladrovci: Nuk mundet një ministër të vendosë për krejt komunat

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka thënë se nuk mundet një ministër të vendosë për të gjitha komunat.

Lladrovci ka deklaruar se gjendja në këtë komunë sa i përket furnizimit me mjete mbrojtëse shëndetësore është relativisht e mirë, por sipas tij, qeveria ende nuk ka arritë t’i furnizojë qendrat e mjekësisë familjare në këtë komunë.

Ai tha se banorët e kësaj komune po respektojnë masat e rekomanduara nga Instituti i Shëndetit Publik, shkruan express.

“Gjithmonë qytetarët e Drenicës kanë qenë të disiplinuar, edhe në luftë kanë qenë të disiplinuar”, tha ai.

Lladrovci tha se ka pasur një komunikim me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia por nuk ka qenë një komunikim i mirë, pasi nuk konsideron që ka marrë një vendim të mirë sa i përket orarit të lëvizjes.

“Këshilli i kryetarëve ka kërkuar që të ketë një orar të njëjtë për të gjitha komunat, pasi në kohën kur në një komunë nuk lejohet qarkullimi, ai mund të vjen në komunën tonë për shërbimet e veta dhe t’i infektojë qytetarët tonë. Nuk mundet një ministër të vendosë për të gjitha komunat. Komuna e jonë meqë nuk ka asnjë rast, nuk do të duhet ta ketë kufizimin e lëvizjeve. Ne do ta rishikojmë vendimin e ministrit dhe do të shohim se si do të veprojmë”, tha ai./mediafokus.info