OSBE: Masa e paraburgimit nuk arsyetohet mjaftueshëm në Kosovë

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim e Bashkimit Evropian (OSBE) në Kosovë ka publikuar raportin e saj fundit të monitorimit të gjykimeve mbi masën e paraburgimit në institucionet në Kosovë.

Raporti ka analizuar 70 seanca dëgjimore të paraburgimit në mbarë Kosovën për pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe gjykimit të drejtë, ku fokusi ka qenë praktika e gjykatave në caktimin e paraburgimit.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë Michael Davenport tha se raporti i OSBE-së ka vënë re disa përmirësime të praktikave gjyqësore prej viteve të mëhershme 2008-2009 nga kur ka filluar OSBE-ja të analizojë këtë fushë. Por, Davenport tha se është shqetësuese që masat e paraburgimit që nuk arsyetohen mjaftueshëm, po përdoren shumë në Kosovë.

“Statistikat tregojnë që proporcioni i personave në paraburgim si përqindje e popullatës së përgjithshme të të burgosurve në fakt është rritur në vitet e fundit. Në dhjetor 2020, 27 për qind e të burgosurve ishin në paraburgim, ndërsa në dhjetor të vitit 2022 kjo shifër është rritur në 38 për qind, gjë që është një rritje e konsiderueshme, përqindje e lartë që tregon një trend shqetësues”, theksoi Davenport.

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu tha se çështja e paraburgimit është një sfidë në vete.

Haxhiu tha se në shërbimin korrektues të Kosovës ka persona që janë të paraburgosur edhe me 10 ose 11 vjet dhe ata nuk mund t’u nënshtrohen programeve rehabilituese për sa kohë janë në një situatë të tillë. “Unë konsideroj se të gjithë njerëzit pa dallim, edhe ata të cilëve për një kohë u është hequr liria kanë të drejta themelore njerëzore që jo vetëm që nuk mund t’u mohohen, por edhe duhet t’u sigurohen dhe garantohen të njëjtëve dhe atë me çdo kusht”, theksoi Haxhiu.

Përveç identifikimit të çështjeve që lidhen me zbatimin e masës së paraburgimit, raporti ka ofruar edhe rekomandime specifike për institucionet përkatëse. OSBE-ja i ka rekomanduar Ministrisë së Drejtësisë të hetojë mundësinë e vendosjes së sistemeve elektronike për gjurmimin e lëvizjeve të të liruarve me masa të buta.