Paraburgim 30 ditë ndaj personit që e shfrytëzoi seksualisht të miturën

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë të pandehurit Sh. B., pasi ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti, në kohë të papërcaktuar duke shfrytëzuar moshën e re të miturës L. S., e ka shfrytëzuar seksualisht, e cila për shkak të natyrës biopsikike, nuk ka mundur të gjykoj e të vlerësojë pasojat e një marrëdhënie seksuale.

Sipas komunikatës së Gjykatës Themelore, me këto veprime i pandehuri dyshohet të ketë kryer veprën penale dhunim nga neni 227 paragrafi 4 nënparagrafi 4.7 të Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që ky është një rast i ndjeshëm dhe për këtë vepër parashihet një dënim mjaft i lartë”, thuhet në njoftimin për media.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.​