Përparësia e të ushqyerit të foshnjës me qumësht gjiri

Ajshe Ibrahimi, dietologe&nutricioniste

Qumështi i gjirit është gjëja e parë dhe më e rëndësishmja që ju duhet t’i jepni fëmijës tuaj. Në veçanti, qumështi i parë është jetësor për shkak se përmban kolostrum, i cili i jep fëmijës tuaj mbrojtje kundër infeksioneve, kur sistemi i tij imunitar nuk është zhvilluar ende. Ushqyerja me gji, fëmijës tuaj i jep një bazë të fortë dhe mund të përcaktojë se sa i shëndetshëm do të rritet ai.

Qumështi i nënës është i përbërë natyrshëm nga të gjithë ushqyesit që kërkon fëmija.

Përmban leukocite dhe një sërë faktorësh anti-infektiv, të cilët ndihmojnë në mbrojtjen e një foshnje nga infeksionet.

Qumështi i gjirit përmban gjithashtu antikorpe kundër infeksioneve, të cilat i ka kaluar nëna më parë.

Ushqyerja me gji ndihmon një nënë dhe foshnjën e saj për të krijuar lidhje të ngushta afektive, që i bën të ndjehen thellësisht të kënaqura nga ana emocionale.

Kontakti i ngushtë, menjëherë mbas lindjes, ndihmon në zhvillimin e kësaj marrëdhënie.

Disa studime kanë treguar se ushqyerja me gji mund të ndihmojë një fëmijë të zhvillohet më mirë nga ana e inteligjencës.

Foshnjat me ushqim artificial sëmuren nga diarreja më shpesh për dy arsye kryesore: sepse ushqimet artificiale nuk kanë faktorë anti-infektiv dhe, sepse ushqimet artificiale janë shpesh të ndotura me baktere të dëmshme.

Qumështi i gjirit mbron nga vdekja prej diarresë foshnjat deri në moshën një vjeç si dhe mbron fëmijët nga kequshqyerja, deri në dy vjeç.

Qumështi i gjirit mund të mbrojë nga disa forma të diarresë, p.sh. kolera dhe shigeloza, deri në 2-3 vjeç.

Qumështi i gjirit mbron gjithashtu foshnjat nga infeksionet e rrugëve të sipërme të
frymëmarrjes.

Studimet kanë treguar se të ushqyerit me gji, gjithashtu mbron foshnjat nga infeksione të tjera, për shembull, infeksionet e veshit dhe meningjitet.

Deri në moshën 4-6 muajsh, ushqyerja ekskluzive me gji mund të sigurojë të gjithë nutrientet dhe ujin e nevojshëm për foshnjën.

Nga mosha 6 muajsh, vetëm marrja e qumështit të gjirit nuk është më e mjaftueshme dhe për këtë arsye, të gjitha foshnjat duhet të marrin ushqime të tjera shtesë.

Përveç qumështit të gjirit, pak foshnje kanë nevojë për ushqime shtesë në moshën 4 ose 5 muajsh.

Ushqimi shtesë mund t`i jepet foshnjës me një filxhan, ose me filxhan me lugë dhe nuk ka nevojë për shishe me biberon.

Por, qumështi i gjirit mbetet përsëri një burim i rëndësishëm energjie dhe nutrientësh me cilësi të lartë, deri në vitin e dytë të jetës e më tej.

Ai mund të ofrojë rreth 1/3 e proteinave dhe energjisë që ka nevojë një fëmijë në vitin e dytë të moshës.

Rëndësia e gjidhënies për nënën

  • Ushqyerja me gji ju ndihmon në kthimin e mitrës në madhësinë para shtatzënisë.
  • Ushqyerja me gji ju mundëson të reduktoni peshën e tepërt që mund të keni fituar gjatë shtatzënisë.
  • Ushqyerja me gji zvogëlon rrezikun e zhvillimit të kancerit të gjirit në jetën tuaj të mëvonshme.

Te nënat të cilat ushqejnë fëmijët e tyre me gji, rol të rëndësishëm luan një dietë e ekuilibruar, e shëndetshme dhe e llojllojshme.

E për ta garantuar këtë, rekomandohet që dieta të përfshijë ushqime të pasura me fibra, kripëra minerale, vitamina, proteina dhe karbohidrate.

Të gjithë këta nutrientë ndikojnë në ruajtjen e shëndetit të gruas, që përcillet edhe te shëndeti i fëmijës.