Qumështi dhe djathi i dhive të kuqe, janë të shëndetshëm njësoj si mjalti

Familja e Ahmet Halilit ishte e varfër para 15-16 vitesh. Por, ajo nuk iu nënshtrua varfërisë, përkundrazi vendosi ta sfidojë atë. Ambienti ku jetonte, ofronte kushte të mira për blegtori.

Ahmeti e nisi me 10 krerë dhi dhe tani e ka rritur në 400 krerë tufën e dhive. Plus ka 23 lopë, 17 viça, 100 krerë dele, raporton MediaFokus.info

Biznesi i tij familjar tani është zgjeruar dhe rritur aq sa mezi iu jep hall kërkesave për mish, qumësht, djathë e prodhime tjera blegtorale.

“Ama kanë punë bagëtia, ka harxhime, nuk është lehtë të mbahen kaq shumë frymë”, thotë Rexhepi, njëri nga familjarët Halili.

Larg tymit, zhurmës, pluhurit, gjithçka këtu kultivohet në kushte bio. Ahmeti mbarështon vetëm dhi të kuqe.

Thotë se ka nevojë për një stallë të madhe dhe ka vendosur që t`i hyjë me forcat e veta këtij plani, nëse nuk arrin të sigurojë ndonjë subvencion.

“Është investim goxha i madh, por i domosdoshëm për kaq shumë krerë dhi, dele e lopë”, thotë ai për MediaFokus.info

Qumështi dhe djathi i dhive të kuqe nuk është vetëm një produkt ushqimor i nevojshëm në tryezë, por më shumë se kaq, konsiderohet ilaç, njësoj si mjalti.

Dhitë janë njësoj si bleta. Ato e zgjedhin ushqim, nuk hanë nga toka, veç në lartësi kullosin.

Tufa e dhive të kuqe në Vërbicë të Zhegocit i jep gjallëri lagjes ku jeton dhe e zhvillon veprimtarinë e saj familja Halili.

Ata janë një shembull për ta ndjekur sa i përket shfrytëzimit të mundësive që ofron natyra e virgjër në këtë fshat. /Mediafokus/