Retro: Xhavit Ahmeti vdiq në mbrojtje të shkronjave dhe shkollës shqipe

Ky është nëntori i 24-të pa profesorin, intelektualin, veprimtarin dhe njeriun e mirë e të rrallë, Xhavit Ahmeti, i cili vdiq në rrugën e vështirë të mbrojtjes së pavarësisë së shkronjave dhe shkollës shqipe, shkruan gazeta online Mediafokus.info

Ai ishte shembull se si jetohet dhe punohet për Kosovën, me tërë qenien e tij. Por, iku herët, atëherë kur familjes e Kosovës iu desh më së shumti një profesor i shkëlqyeshëm si ai.

Xhavit Ahmeti do të mbetet përgjithmonë në zemrat e të gjithë atyre që e kanë njohur ose që kanë dëgjuar për të.

Ai kontribuoi fuqishëm në forcimin e rezistencën dhe refuzimin e masave serbe për zhbërjen e arsimit shqip. Ishte ndër figurat më eminente të kësaj rezistence.

Asokohe, si këshilltar për arsim i presidentit Rugova, ai demonstroi aftësi të veçanta në ngritjen dhe funksionalizimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, në përgjithësi dhe të arsimit në veçanti, sikurse edhe në masivizimin e rezistencës politike ndaj institucioneve të dhunshme serbe në Kosovë.

Falë vlerave të larta njerëzore dhe intelektuale, Xhavit Ahmeti radhitej ndër burrat e mëdhenj që kishte Kosova.

Shëmbëlltyra e tij si intelektual e shkencëtar, si politikan dhe patriot i përkushtuar për çështjen e Kosovës, ishte motivim dhe frymëzim për shumë gjenerata në kauzën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Vdekja tragjike e gjeti Xhavit Ahmetin në një mision të rëndësishëm, derisa së bashku me një delegacion të Kosovës po shkonin në Beograd, për të mbrojtur arsimin shqip.

Shqiptarët duhet të jenë krenarë që patëm një njeri të madh, një intelektual të shquar, një shkencëtar të spikatur, një atdhetar të devotshëm të çështjes kombëtare, siç ishte Xhavit Ahmeti./Mediafokus.info