Rrëfimi i 96-vjeçarit: ‘Sa shumë kemi hequr, sa gjatë kemi vuajtur në këtë anë’

Ramiz Avdullahu, ndonëse ka mbushur 96 vjeç, asnjëherë nuk është shkëputur nga vendlindja e tij, fshati Priboc. Përkundër moshës që ka, ende e viziton shpesh vendlindjen, ku e kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij, ka shkruar nipi i tij, Alban Avdullahi. 

Mediafokus ju ri-sjellë një rrëfim të tij për jetën në Malësinë e Bujanocit, të cilin e kemi marrë para dhjetë vitesh, me ndihmën e Ismet Tafilit, atëherë kur Ramiz Abdullahu ishte 86-vjeç.

…………..

“Sa shumë kemi hequr, sa gjatë kemi vujatur…”, thotë baca Ramiz.

Në këto anë, kurrë nuk është ndalur zullumi mbi shqiptarët. Ishin kohëra që na e bënë jetën skëterrë, por ne mbijetuam disi, thotë plaku Ramiz Abdullahu nga Priboci i Malësisë së Bujanocit, derisa rikujton rrugëtimin e tij jetësor.

Jeta në Malësinë e Bujanocit rrezikon të shuhet tërësisht. Nga atje, nëpër vite, janë përzënë qindra familje shqiptare dhe deri tani rruga e kthimit të tyre ka mbetur e mbyllur.

Nëpër trojet shqiptare tani lëvizin policia dhe xhandarmëria serbe dhe rrallë kund dëgjon ndonjë zë fëmije, ose sheh ndonjë fermer që punon tokën.

Një heshtje e trishtë ka mbërthyer Malësinë e Bujanocit. Gjithçka që lëviz për toke i nënshtrohet kontrollit të policëve serbë.

Banorët e shpërngulur dhe të dëbuar nga Kosova Lindore thonë se e kanë shumë vështirë të vizitojnë shtëpitë dhe varret e të parëve të tyre në Priboc, Zarbicë, Suharrën, Novosellë, Ramabuqë e Gjergjec.

Shqiptarëve të Kosovës Lindore u shkelen të drejtat më elementare.

Heshtja që vret

Në këto rrethana, edhe ata pak banorë që kanë mbetur atje, vazhdimisht mendojnë të largohen. Ky është edhe qëllimi i pushtetit serb.

Ramiz Abdullahu rrëfen për gjithë tmerrin që kanë përjetuar shqiptarët në Malësinë e Bujanocit, të cilëve u është mohuar vendlindja dhe u është shkatërruar gjithë pasuria që kishin krijuar me vite të tëra.

Në këto anë, kemi hequr shumë, nga varfëria dhe nga luftërat që kemi zhvilluar me armiq të ndryshëm, në çdo periudhë historike, thotë Abdullahu, derisa e nis rrëfimin e tij për një jetë të kaluar në Malësinë e Bujanocit.

Nuk kemi kaluar mirë as në kohë të paqes relative, sepse pushtet nuk janë kujdesur asnjëherë për ne shqiptarët.

E mbaj mend kur kemi luftuar edhe me bullgarin e dytë, që e detyruam të largohet nga trojet tona. Ishim të organizuar.

Të gjithë burrat që ishin të aftë për armë, dolën në front. Kështu ka ndodhë edhe më vonë, me serbët.

Të udhëhequr nga Mulla Idrizi, serbët nuk i kemi lejuar të depërtojnë në fshatrat tona. Fronti ishte përgjatë tërë vijës së vjetër kufitare, thotë ai.

Ramiz Abdullahu nuk ka kujtime të mira as nga regjimi komunist. ‘Për ne shqiptarët ishte vazhdim i vuajtjeve, dëbimit dhe zhdukjes’, thotë ai.

Rikujton Tivarin, kohën e grumbullimit të tepricave, kur i linin fëmijët pa bukë, aksionin për mbledhjen e armëve, pastaj vitet 1968, 1981, 1990 e këndej.

“Kanë qenë kohëra që na e bënë jetën krejt zi”, thotë baca Ramiz.

Zullumi është më i rëndë se vrasja

Përkundër të gjitha këtyre vuajtjeve të gjata, arritëm të mbijetojmë disi deri në vitin 1999, kur na përzunë me dhunë nga vatrat tona, vijon Ramizi.

Makineria ushtarake serbe, pas dëbimit nga Kosova, u vendos këtu dhe nisi të rrahë shqiptarë.

E filluan prej Suharrne e Novoselle. Te Tahirovit i kanë rrah gati krejt. I kërcënonin t`i vrisnin e prisnin. Edhe në Litesh i kanë rrahë shumë. Në Priboc nuk u kanë dhanë rast as të ikën, bile as ta përfundojnë bukën e të ngrehin sofrat.

“Asnjëherë nuk është ndal zullumi mbi ne shqiptarët në Malësi”, thotë Ramizi.

Qëllimi i Serbisë ka qenë që me çdo metodë të krijojë frikë e pasiguri te shqiptarët, në mënyrë që t`i lëshojmë trojet tona.

“Zullumi nuk durohet, është më i rëndë se vrasja. Plumbi është i paqtë”, thotë ai.

Oxhaqet në Malësi vazhdojnë të mbesin të fikur. Faktori ndërkombëtar nuk i mbajti premtimet për t`i ndihmuar shqiptarët që të kthehen në vatrat e tyre.

Rruga e kthimit, për të përndjekurit shqiptarë nga Malësia e Bujanocit, ka ngelur vetëm një ëndërr e mirë.

Ramiz Abdullahu thotë se Malësia është një vend i pasur dhe i bukur për të jetuar. Është vendlindja jonë dhe e varreve të stërgjyshërve tanë.

Banorët, krahas përballjes me jetën për ekzistencë, luftërave të vazhdueshme me pushtues të ndryshëm, por edhe për shkak terrenit malor dhe largësisë nga qendrat urbane, kishin krijuar të mira materiale, kulturore e ekonomike në vendin e tyre, por tani pothuajse e tëra është shkatërruar, sa nga lufta, sa nga koha e kaluar, që kur edhe gurët atje kanë mall për këmbë njeriu.

Serbia e do Malësinë pa shqiptarë

Ekonomia ishte kryesisht bujqësore e blegtorale, ose artizanale. Punohej toka dhe mbaheshin bagëti.

Njerëzit e këtushëm ishin mjeshtër të mirë të punimit me gurë e dru, kuzhinierë të dalluar, bletarë, kopshtarë, pemëtarë… po aq sa edhe mjeshtër të qethjes së bagëtive, kultivues të kuajve dhe kalorës, valltarë të njohur; këngëtarë, punues të instrumenteve popullore dhe të tjera.

Kanë qenë edhe krijues të anekdotave e tregimeve të ndryshme. Edhe pse të gjitha këto vlera i ka shkatërruar lufta dhe dhëmbi kohës, atje ende mund të gjenden gjurmë të jetës qindravjeçare.

Në Zarbicë, afër xhamisë, ka ekzistuar një shkritore që nga kohërat e vjetra.

Nga rrëfimet e përcjella brez pas brezi, po edhe nga gjurmët e mbeturinave të xehes, dëshmohet se dikur këtu ka pasur jetë e zhvillim ekonomik.

Malësia e Buajnocit është e pasur me ujëra, me pemë, me bimë shëruese dhe ofron kushte shumë të mira për kultivimin e patates.

Ka kushte për të zhvilluar turizmin, por mungon infrastruktura rrugore.

Por, derisa kjo krahinë shqiptare të jetë e pushtuar, nuk do të mund të shfrytëzohen këto pasuri nga banorët e kësaj ane, sepse shteti serb nuk ka dashur dhe nuk dëshiron që të krijojë mundësi për kthimin e shqiptarëve të zhvendosur në tokat e veta.

Beogradi e do Malësinë pa shqiptarë. /Mediafokus.info