Shkarkohet Sejdiu, në vend të tij emërohet infektologu Valbon Krasniqi

Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, njofton se në mbledhjen e mbajtur sot, më 6 korrik 2020, ka marrë vendim ta shkarkojë nga detyra dr. Basri Sejdiun, drejtor i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.

Në vend të dr. Sejdiut, ushtrues detyre i drejtorit është caktuar dr. Valbon Krasniqi, mjek specialist i infekologjisë.

E shkarkimi i Sejdiut vjen si pasojë e performancës jo të kënaqshme dhe mospërmbushjes së detyrave të punës.

Dr. Krasniqi është infektolog, ndërsa së fundmi ishte angazhuar në grupet punuese për luftimin e COVID-19.

Edhe Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e saj ka gjetur shkelje serioze në shpenzimin e buxhetit.

Auditori ka gjetur se QKUK-ja ka shpenzuar mbi 58 mijë euro për blerjen e pajisjeve të IT-së me vlera individuale nën 1 mijë euro.

ZKA ka gjetur se QKUK-ja ka kryer procedurë të negociuar për pastrimin e hapësirave të brendshme në vlerë 362 mijë euro për tre muaj.

Ky tender ishte dashur të realizohej në muajin prill të vitit 2019, por ishte vonuar deri në përfundimin e kontratës së rregullt në nëntor, e më pas ishte realizuar kontrata e negociuar.

ZKA ka raportuar se në QKUK ishin blerë pajisje në vlerë 174 mijë euro, por ato nuk ishin futur në përdorim deri në 2 vjet aq sa është afati i garancionit të tyre.

“Sipas kushteve të kontratës kornizë “Furnizim me pajisje mjekësore -5” operatori ekonomik ka për obligim të bëjë instalimin dhe funksionalizimin e pajisjeve me një afat të garancionit të tyre prej dy (2) viteve. Pajisjet ishin pranuar dhe paguar në vlerën totale të kontratës11 në muajin Nëntor 2019.

Gjatë ekzaminimit fizik të pajisjeve kemi vërejtur se një pjesë e pajisjeve në vlerë prej 174,000€ nuk janë instaluar dhe funksionalizuar por gjendeshin në depo të QKUK-së.

Kontrata ishte kornizë dhe kishte fleksibilitet sa i përket porosive”, thuhet në raportin e ZKA-së.