Skandal pas skandali në diplomacinë digjitale të Kosovës
Një reagim që këshilltarja e Kurtit, Fëllanza Podrimja, ia bëri Nënsekretares amerikane Victoria Nuland, u pa si qasje e gabuar. Por, përgënjeshtrimi që iu bë Zëvendëkryeministrit Bislimi e eklipsoi Podrimjen. Ai po konsiderohej ‘qershia mbi tortë’ e skandaleve diplomatike.
Këto janë disa nga episodet e fundit të diplomacisë digjitale kosovare – aty ku Kosova, sipas shumë konstatimeve, qëndron keq.
Në Kosovë, çdo ngjarje i ka 2-3 ditë të veta. Vetëm në ndonjë rast kur ngjarja zë ngjarjen dhe vëmendje largohet. Kështu ndodhi këto ditë me një postim të këshilltares së Kryeministrit Kurti, Fëllanza Podrimja për Nënsekretaren amerikane, Victoria Nuland.
Nënsekretarja amerikane njoftonte për një bisedë të saj me presidentin serb, Aleksandër Vuciq, ndërsa Podrimja që dukej e nervozuar me fjalët e Nulandit, shkroi, “Jo, s’është e vërtetë. Serbia nuk qëndron mirë, por SHKËLQYESHËM me fqinjët e vet. Sidomos kur dërgon në kufi tanke dhe aeroplanë ushtarakë ‘mig29’”.
Nulandi nuk iu përgjigj, por Podrimja, pas reagimeve, e fshiu postimin e saj me pretendime sarkastike. Më pas, doli një përgënjeshtrim që iu bë zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, nga Zëvendës Sekretari i Këshillit të Evropës, Bjorn Berge.
Ish-diplomatja kosovare, tash nënkryetare e PDK-së, Vlora Çitaku, thotë se qeveritarët nuk duhet të debatojnë me aleatët e Kosovës publikisht në Twtter.
“Këshilla ime e parë për zyrtarët e Qeverisë është që mos të debatojnë me aleatët në Twitter. Tash janë në institucione, dhe kanë kanalet diplomatike për të shprehur shqetësimet e tyre”, ka thënë Çitaku për Gazetën Express.
Çitaku, e cila vetë është prej politikanëve më aktivë në Twitter, thotë se diplomacia digjitale është e rëndësishme, por jo kryesorja.
“Sigurisht, diplomacia digjitale është e rëndësishme, por është e pamjaftueshme nëse nuk përcillet me politika dhe masa konkrete. Stilet janë të ndryshme, dikush është më aktiv në rrjete sociale, dikush është me diskret”.
Megjithatë ajo thotë se do të ishte shumë më e dobishme “sikur zyrtarët institucionalë t’i përdornin më mençur rrjetet sociale për të amplifikuar rrëfimin për Kosovën”.
Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, prej kur e ka marrë në drejtim diplomacinë, ka nxitur shumë reagime për gabimet, pështjellimet në Twitter. Ndonjëherë edhe se ka qenë e vonshme në deklarim. Forcat ruse kishin hyrë në Rusi në orët e para të 24 shkurtit, ndërsa ministrja kosovare ka pasur një postim rreth kësaj tek më 27 shkurt. Mbetet misterioze puna e menaxhimit të profileve të saj dhe ministrisë në rrjetet sociale.
Gazeta Express ka dërguar pyetje të zëdhënësi i MPJD-së për menaxhimin e rrjeteve sociale, por deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka marrë përgjigje.
Agon Maliqi, njohës i politikës së jashtme, nuk sheh ndonjë strategji të koordinuar të diplomacisë kosovare në botën ‘online’.
“Diplomacia kosovare është deri-diku aktive, por angazhimi është sporadik dhe jo i koordinuar dhe i mbërthyer brenda një strategjie. MPJ duket e fjetur në këtë drejtim”, thotë Maliqi për Express.
Ndërkaq, Valon Kerolli, ekspert i rrjeteve sociale, e sheh aktivitetin e diplomacisë kosovare në këtë drejtim si tejet të dobët.
“Në shumë raste kanë gabuar me postimet e tyre, kanë etiketuar personat e gabuar, madje edhe nuk e kanë ditur se si përdorën këto rrjete sociale. Vetë fakti se ministrja e Punëve te Jashtme nuk i ka llogaritë e verifikuara as në Facebook e as në Twitter tregon shumëcka, e mos te flasim për persona te tjerë”, thotë ai.
Së fundmi Kosova mori vëmendjen përmes rrjeteve sociale me një nismë e përdoruesve, që kishte sloganin “Kosova në NATO”. Kjo arriti të bëhej trend në Twitter, iu bashkua ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili u bë lajm në shumë media ndërkombëtare.
Pas një jave, ministrja kosovare njoftoi po në Twitter se mbajti takim me ekipin e krijuar për të rritur përpjekjet për anëtarësim në NATO.
Agon Maliqi thotë se duket sikur komunikimi publik po u paraprin nismave politike, si rasti i fushatës për anëtarësim në NATO.
“Por edhe mesazhet që po dalin nuk janë koherente dhe shpesh duket sikur komunikimi po u paraprin nismave politike (siç ishte rasti i anëtarësimit në NATO që bëri bujë me një tweet), në vend se të jetë e kundërta. Më efektive shpesherë më duket se janë mesazhet dhe nismat e qytetarëve të thjeshtë.”
Edhe Kerolli thotë se po të mos ishin mediat, artistët, sportistët; sa për institucione, Kosova as nuk do të dukej në rrjete sociale.
“Po të mos ishin persona të caktuar nga mediat, sportistët, artistët e ata që merren me teknologji dhe gjithçka te varej nga institucionet e vendit, Kosova ne rrjete sociale do te ishte inegzistente”, ka thënë Kerolli në një bisedë me Gazetën Express.
Në web-faqen e ministrisë së Jashtme dhe Diaspores ekziston një rubrikë e quajtur “Diplomacia digjitale”. Mirëpo në ballinën e saj janë artikuj të vitit 2012, me prezantime të ish-ministrit Petrit Selimi.