Tani nuk nget për maramë, por për një shekull jetëgjatësi

Dikur fitonte maramën në çdo dasmë e garë fshati. Tani nuk nget më për fitore, por vrapimin e ka pasion. Ndonëse ka shkelur në të 81-tat, Osman Ibrahimaj nga Gjilani nuk ndahet nga natyra. Në këtë mënyrë, pehlivani i dikurshëm i Anamoravës, që fitonte maramën në çdo garë, vazhdon ta sfidojë pleqërinë, shkruan Mediafokus.info

Thotë se që nga mosha 16-vjeçe merret me vrapim. As vet nuk kishte menduar se për 65 vite e më tepër do të mbetej një adhurues kaq i madh i vrapimit dhe natyrës.

Vrapimin e ka provuar së pari herë në një dasmë fshati, për të respektuar traditën e garës së maramës. Asokohe, nusja nuk hipej në qerre dhe as dasmat nuk bëheshin, pa e kryer garën e maramës. Për fituesin e shtegut pesë kilometra, jepej si shpërblim një dele, që asokohe ishte çmim mjaft i madh.

Ibrahimaj ka arritur të fitojë shumicën e garave nëpër dasma fshati. Ai edhe tani që po shkon drejt një shekulli jetë, vrapon, jo më për gara e shpërblime, por për të mbajtur lidhjen me natyrën, që siç thotë, është e pazëvendësueshme për jetën dhe shëndetin e njeriut. “Mjek më të mirë se natyra nuk ka askund në botë”, thotë ai. Por, është i zhgënjyer për mënyrën si e trajtojnë disa persona ambientin, sikur të ishte diçka e huaj.

Ibrahimaj është ndër të paktët qytetarë që edhe me këtë moshë del për çdo ditë në Stanishor, një masiv bjeshke në afërsi të Gjilanit. Ai i takon grupit të vullnetarëve të mëngjesit, të cilët, përveç ushtrimeve, kujdesen edhe për këtë ambientin. Por, ajo që e shqetëson 81-vjeçarin, është ndotja e natyrës. Ka persona që tregohen të papërgjegjshëm ndaj ambientit dhe e ndotin atë sikur të ishte diçka e huaj, vijon shkrimi i Mediafokus.info

Në Stanishor, një zonë kjo e pasur me drurë të ndryshëm, me lumenj e lule, përveç pushimeve, bëhen edhe ushtrime gjimnastikore e rekreative nga grupe të ndryshme sportive e qytetarë të rëndomtë. Ka shtigje për vrapim, vegla për ushtrime, ulëse për pushim. “Kjo hapësirë duhet ruajtur si një mrekulli e natyrës, duke investuar në të dhe jo duke e ndotur”, thotë Osmani.

Është shumë i zemëruar me trajtimin që disa qytetarë i bëjnë kësaj zone, që të huajt e kanë lakmuar pafundësisht, sa herë kanë qenë këtu për ta vizituar. “A mbushemi mend ndonjëherë ne”, thotë ai i nevrikosur. Ka njerëz që vijnë këtu, rrinë e pushojnë e kur ngrihen për të ikur, lanë pas vete gjithë mbeturinat. Ka edhe të tillë që hedhin mbeturina të ngurta skaj lumit, duke degraduar gjithçka të bukur në këtë vend. Shpeshherë i largon vetë mbeturinat, por dikush sikur kujdeset që ta rikrijojë pamjen e njëjtë: mbeturina, rërë, kocka, ulëse të shkatërruara.

Ibrahimaj flet për rëndësinë që ka natyra për njeriun. Natyra të jep forcë dhe të qetëson. Natyra është jeta e njeriut. Vrapimi në natyrë është ushqimi kryesor i trupit të njeriut. Ata që vrapojnë nuk kanë nevojë për mjek, as për barna. Shëndeti i njeriut janë atletika, aromat e luleve, shtazët dhe shpezët që jetojnë në natyrë, thotë 81-vjeçari.

Ai zgjohet në ora pesë të mëngjesit dhe fillon me vrapim një ditë tjetër të lumtur. Shpreson se edhe për një kohë të gjatë do t`i shkel me vrap këto shtigje.

“Vrapimi dhe natyra janë pafundësia ime” thotë Ibrahimaj. I ndjen personalisht dobitë nga ky raport me natyrën, ku pos vrapimit shijon edhe ajrin dhe ujin e mirë, që i japin jetëgjatësi njeriut.

Shpatet e Stanishorit janë kthyer në një oazë shëndeti dhe miqësie në mes të njerëzve. Ky vend i ka ndihmuar edhe ata njerëz të cilët deri dje kanë lëvizur me vështirësi, u ka kthyer shpresat për të vazhduar jetën edhe të sëmurëve.

“Ajri dhe uji i këtyre shpateve largon edhe pleqërinë, kur kombinohen me shëtitjet e mëngjesit”, thotë Ibrahimaj. /Mediafokus.info