Të ushqyerit e shëndetshëm është jetë

Ajshe Leka, nutriciste-dietologe

Studimet kanë treguar se nga mbi 700 mijë lloje të gjallesave, me të cilat ndajmë këtë planet, njeriu është e vetmja qenie që shkakton dëme në trupin e vet në aspektin e të ushqyerit jo të drejtë.

Kjo fillon nga ushqimet të cilat gjatë përpunimit industrial përzihen me kimikate e ngjyrosës artificial, ushqimet të cilat posedojnë pesticide, ushqimet e modifikuara, ushqimet që gjatë përgatitjes apo gatimit i humbin vlerat ushqyese.

E gjithë kjo mënyrë e të ushqyerit rezulton me sëmundje, që janë të ndërlidhura me dietën, si kanceri, sëmundjet e zemrës, artriti, diabeti dhe një mori sëmundjesh të tjera.

Kur ne përjashtojmë ushqimet e freskëta dhe të papërpunuar, për t`i zëvendësuar me ushqime boshe, apo pa vlera ushqyese, tretja bëhet më e vështirë dhe vjen në pyetje kapsllëku si pasojë e ngrënies së ushqimit të gabuar.

Si pasojë e kësaj, trupi ynë ka aftësi të kufizuara për të rindërtuar qelizat ose për të kryer funksione të tjera metabolike.

Rezultatet e parashikuara lehtësisht, janë vitaliteti i ulët dhe paraqitja e sëmundjes, humbja e cilësisë së jetës, humbja e qartësisë shpirtërore dhe mendore dhe vdekja e hershme.

Përmbajtja e dietës për një jetë të shëndetshme (për të ngrënë ushqim të duhur)

Trupi kërkon përmbushjen e disa nevojave fizike themelore, në mënyrë që të funksionojë maksimalisht, duke eliminuar siç duhet toksinat dhe marrjen e ajrit të pastër, ujin e pastër, rrezet e diellit, aktivitetet fizike, pushimin dhe ushqimet sa me te papërpunuara dhe sa me më shumë vlera ushqyese.

Ushqimi i duhur për shëndet të mirë dhe mirëqenien e jetës përbëhet nga ushqime në gjendjen natyrale të papjekur ose të gatuar lehtë. Perimet dhe frutat e papërpunuara janë superiore ndaj atyre që gatuhen sepse gatimi shkatërron shumë nga vlera ushqyese.

Ushqim bimor për jetë të shëndetshme

Të ushqyerit me prodhime nga bota bimore, është burimi kryesor për jetë të shëndetshme. Perimet e freskëta, si karota, lakra, zarzavatet me gjethe, domatet, kastravecët, qepët, brokoli dhe një seri prodhimesh të tjera të pa përpunuara dhe të pa pjekura, janë burimi më i madh i mineraleve dhe burimi i dytë më i madh i të gjitha vitaminave.

Sasia më e madhe e vitaminave dhe burimi i dytë më i madh i të gjitha mineraleve gjenden tek frutat e freskëta, nëse ato janë plotësisht natyrale dhe të pa përpunuara. Frutat janë pastrues natyral dhe ndihmojnë në mirëmbajtjen e traktit tretës.

Yndyra të pasura me vlera ushqyese, si vaj i ullirit, arrat, farat, ullinjtë, avokadot dhe vaji i kokosit janë yndyra të rëndësishme për një dietë të shëndetshme.

Uji i pastër është jetik për trupin e njeriut. Duhet të pihen nga tetë gota ujë çdo ditë.

Mjalti natyral, i papërpunuar, është një nga ëmbëltuesit më të mirë që ekziston. Ka veti ushqyese dhe mjekësore të mrekullueshme, që përdoren edhe për qëllime shërimi.

Konsumoni ushqimin tuaj si ilaç, ose do të konsumoni ilaç si ushqim
Shëndeti është pasuria më e madhe që mund të kemi dhe kjo arrihet përmes të të ushqyerit me vlera ushqyese.

Ushqimi i përpunuar shkatërron të gjitha aktivitetet enzimatike në të dhe është shkaktar i sëmundjeve që ne përjetojmë.

Ushqimet e ndryshme që marrim mund t`i ndajmë në dy kategori

– Ushqimet me bazë alkaline – kur hamë fruta të papërpunuara dhe perime të papërpunuara, ato lënë një gamë normale alkaline.

– Ushqimet e bazuara në acid – kur hamë produkte shtazore na mbetet një mbetje acidi e cila është e rrezikshme për shëndetin tone.

Nga kjo nënkuptojmë se është mirë të reduktohen të gjitha ushqimet e mishit të kafshëve me yndyrë, produktet e qumështit me yndyrë të lartë, mandej kripa, sheqeri i bardhe, mielli i bardhë, alkooli, nikotina dhe kafeina./Mediafokus/