Tendenca për shtrirjen pan-sllave

Daut Dauti

Lora Aleksandrovna Gerd është historiane e njohur ruse kurse specializimi saj është historia e Kishës Ortodokse Ruse. Gerd është udhëheqëse e institutit të njohur të historisë të Shën Petersburgut (ish Leningradit apo Stalingradit) të Rusisë.

Libri i saj ‘Russian Policy in the Orthodox East: The Patriarchate of Constantinople 1878 – 1914 (Politika Ruse në Lindjen Ortodokse: Patriarkati i Stambollit 1878 – 1914), është botuar në anglisht në vitin 2014. Studime të kësaj natyre nga historianët rusë ka me shumicë por ky është i veçantë dhe mjaft i lexuar dhe i cituar në rrethet akademike botërore. Libri është i shpërndarë gjithkah por edhepse i botuar së voni, gjendet për t’u lexuar falas në internet ku është vendosur nga instituti dhe vetë autorja.

Libri, i bazuar në materiale të arkivave të ndryshme, përmbanë një analizë sistematike të periudhës në fjalë (1878-1914) ku paraqitet lindja dhe zhvillimi i politikës ruse e cila në formë të pan-sllavizmit dhe rusofilisë ka ushtruar ndikim në Ballkan dhe territoret tjera otomane që më vonë kaluan nën sovranitet rus apo sovjetik.

Thënë shkurtimisht, autorja paraqet tendencën e politikës shoveniste ruse të mbështjellur me pan-sllavizëm që kishte për qëllim ngritjen e Rusisë në një fuqi ushtarake e cila ka mëtuar që territoret e Perandorisë Bizantine, më vonë asaj Otomane, t’i vënte nën sundim të saj. Kjo tendencë, siç thot edhe autorja ka qenë e vështirë për shkak që shteti rus, nën ndikim religjioz, mundohej që nën flamurin e ortodoksisë ta zhdukte multi-etnicitetin të cilin e kishte lejuar Bizanti e më vonë edhe Perandoria Otomane.

Në kapitullin e parë të librit ‘Politika ruse në Ballkan 1878-1914’, çështja shqiptare injorohet tërësisht. Është injoruar me qëllim për shkak se në territor të shqiptarëve duhej të shtrihej ndonjë shtet sllav ortodoks pas të cilit do të qëndronte Rusia dhe me këtë do të sigurohej dalja në Adriatik. Në tërë librin prej 144 faqeve shqiptarët përmendet katër herë dhe atë si të dashurit e Perandorisë Otomane, persekutuesë të të krishterëve ose si shkatërrues të manastireve ortodokse serbe. Pra, në mënyrë indirekte, shqiptarët paraqiten si pengesë agresive e pan-sllavizmit.

Por, libri përmbanë detaje mbresëlënëse studjuese që bëjnë me dije për organizimin dhe shtrirjen e ndikimt pan-sllav në Ballkan dhe gjetiu. Armiq të kësaj shtrirje ishin otomanët, shqiptarët dhe pjesërisht edhe grekët të cilët edhepse ishin ortodoksë nuk e duronin pan-sllavizmin sepse ua rrezikonte pan-helenizmin. Këtu, në fakt shohim një rivalitet në mes pan-sllavizmit dhe pan-helenizmit për zëvendësimin e pushtetit otoman në të cilin territor pastaj do të ringjallej jeta dhe kultura bizantine. Pra, qëtë dy palët pretendonin se ishin trashëgimtarë të Bizantit: rusët për shkak të religjionit kurse grekët, poashtu për shkak të religjionit por edhe kulturës, origjinës dhe shtrirjes gjeografike. Këtu grekët kishin përparësi por u mungonte fuqia që e kishin rusët.

Detajet tjera interesante të librit bëjnë me dije për një arsenal veprimesh strategjike të rusëve që gjatë dy shekujve të fundit kishin ndërmarrë për ta dobësuar Perandorinë Otomane jo vetëm ushtarakisht por edhe më anë të metodave sabotuese dhe korruptive.

Sidoqoftë, libri është në nivel akademik. Është i argumentuar mirë dhe zgjon kurreshtjen e lexuesit, sidomos studjuesit të kësaj fushe, edhepse pikëpamja është tërësisht nga këndi rus. Ky është edhe qëllimi i librit dhe kjo nuk është propagandë por është shkencë.

Por, kur lexohen këto libra, duhet gjithmonë ta bëjmë një pyetje të paevitueshme: pse shqiptarët nuk kanë libra të këtillë? Çka bëjnë institutet e historisë që shqiptarët i kanë në Tiranë, Prishtinë e Shkup? Me çka merren këto institute nëse jo me këtë temë shumë të rëndësishme?