Zemaj: Po e bëjmë gati “Spitalin për Covid-19” me 500 shtretër

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka bërë të ditur se në ditët në vijim do ta bëjnë gati “Spitalin për COVID-19”, raporton Mediafokus.info.

Përmes Facebook’ut, Zemaj ka shkruar se përderisa shtetet evropiane po ballafaqohen me përhapjen e shpejtë të virusit dhe raportojnë numër të lartë të infeksioneve me Sars Covid-19, ne po përgatitemi për çdo skenar.

“Ministria e Shëndetësisë, ditëve në vijim do ta bëjë gati “Spitalin për Covid-19”, me 500 shtretër në Prishtinë.Po komunikojmë me COVAX/OBSH për sigurimin e vaksinës së mundshme kundër Covid-19, si dhe po bëjnë veprimet e nevojshme në pajtim me situatën”, ka shkruar Zemaj.

“Ne jemi nën presion edhe nga bizneset si pasojë e mos votimit të “Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike” e që po na vështërson përpjekjen tonë kundër virusit. Mos miratimi i Projektligjit po rrezikon mbijetesën e shumë bizneseve dhe mirëqenien e qytetarëve.  Është shqetësuese dhe për keqardhje, sepse po ndodh, për shkak të tekeve të disa deputetëve”, ka shtuar ai.

Ai ka theksuar se “në parandalimin e përhapjes së virusit duhet kujdes, shumë KUJDES! Kërkohet respektim i masave parandaluese!”./Mediafokus.info/