Me kryetarët e këshillave lokalë diskutohet për masat preventive kundër COVID-19
Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli dhe kryesuesi i Komisionit emergjent për parandalimin e koronavirusit Covid-19, Selami Xhemaili, në konferencën për media tahnë se sot kanë mbajtur një takim me kryetarët e këshillave lokalë, ndërkohë që si Komision kanë vazhduar punën në terren në implementimin e vendimeve që kanë të bëjnë me masat parandaluese.
Ismajli dhe Xhemaili kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar, duke u shprehur të bindur se gjendja bashkërisht do të tejkalohet.
Nënkryetari Ismajli ka thënë se ky është një virus që tashmë është shpallur pandemi në nivel botëror dhe duhet të merren masa mbrojtëse konform udhëzimeve të organeve kompetente, mirëpo pa shkaktuar panik tek qytetarët.
“Lusim qytetarët që t’i respektojnë në përpikëri masat mbrojtëse që kjo gjendje të mos eskalojë dhe e gjitha kjo të bëhet pa panik”.
Duke u bazuar në raportet ditore, ai ka thënë se nuk ka vend për shqetësim në aspektin e furnizimit me ushqime.
Ai ka falënderuar qytetarët e Gjilanit të cilët janë duke bashkëpunuar jashtëzakonisht mirë dhe po i respektojnë vendimet e shtetit si preventivë ndaj virusit dhe kjo e ka bërë më të lehtë edhe punën e Komisionit.
Ndërsa, Selami Xhemaili, kryesues i Komisionit emergjent, ka thënë se gjendja është nën kontroll dhe gjithçka është duke shkuar konform asaj që është porositur në nivelin qendror.
“Në Gjilan nuk ka asnjë rast deri më tani dhe shpresojmë të mos kemi as në të ardhmen”, tha Xhemaili.
Ai ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë mbështetje me material mbrojtës dhe pajisje të tjera të domosdoshme, derisa ka njoftuar se kanë përfunduar një numër të madh të dezinfektimit të objekteve.
Për çdo rast, qytetarët mund të kontaktojnë këta numra, të cilët janë në dispozicion 24 orë: 112, 192. 193 dhe 194.
Komisioni emergjent është vendosur në konviktin e shkollave të mesme, prej ku do të menaxhohet situatën.

