Në vitin 2018, autori me prejardhje nga Kosova (i lindur në Zvicër) ka sulmuar një burrë në stacionin e trenit në Olten (Solothurn), transmeton albinfo.ch.

Ai ka goditur disa herë trupin e viktimës me një thikë. Në vitin 2021 ai qe shpallur fajtor për tentativë vrasje, siç raporton “Solothurner Zeitung”.

Të akuzuarit, përveç dënimit me tetë vjet burg, i ishte shqiptuar edhe dëbimi dhjetëvjeçar nga vendi, Zvicra.

Ai ka ushtruar ankesë lidhur me dëbimin nga vendi dhe për këtë arsye është zhvilluar seanca në Gjykatën e Lartë.

Personi në fjalë është i lindur dhe rritur në Zvicër, e gjithë familja e tij jeton këtu. Kjo përfshin gruan dhe djalin e tij.

Ai gjithashtu vuan nga sëmundja multiple skleroza dhe ka frikë se nuk do të ketë mundësi të trajtimit adekuat në Kosovë.

Mirëpo, këto argumente janë hedhur poshtë nga prokuroria publike.

Gjykata e Lartë ka vlerësuar se interesi publik për moslejimin e qëndrimit në Zvicër ishte më i madh se interesi personal i delikuentit.

Prandaj, ajo ka konfirmuar vendimin e Gjykatës së Qarkut të Olten-Gösgen dhe ka mbështetur  dëbimin nga vendi pavarësisht argumenteve që i akuzuari kishte për tu trajtuar si “rast i rëndë”.