11 vjet pa zërin më të veçantë që pati treva e Gjilanit dhe melosi popullor shqiptar
Artisti i këngës burimore, Skënder Maliqi ndërroi jetë para 11 vitesh (më 6 prill 2012), pikërisht në ditën e lindjes së tij.
Skënder Kosoqa, siç njihej ndryshe, shquhej për interpretimin e këngës së mirëfilltë e sidomos ishte adhurues i madh i këngëve të Shqipërisë së mesme, të cilave u jepte shpirtin e tij, kudo që paraqitej, shkruan Mediafokus.info
Ai i kishte qëndruar besnik këngës deri në momentet e fundit të jetës.
Është shpërblyer disa herë me mirënjohje e çmime tjera në festivalet e ndryshme kombëtare, për interpretim të mirëfilltë, por më shumë se gjithçka tjetër, ka çmuar publikun, që e mirëpriti sa herë që Skënderi doli në skenë.
Skënder Maliqi nuk hoqi dorë nga kënga as atëherë kur e kuptoi se vuante nga sëmundja e pashërueshme.
E donte jetën, prandaj nuk i dorëzohej sëmundjes, por vdekja e ndau para kohe në këtë bashkudhëtim me këngën.
Solisti Skënder Maliqi ka mbetur në kujtesën e adhuruesve të këngës, si njëri nga zërat më të veçantë që pati treva e Gjilanit dhe melosi popullor shqiptar.
Zëri i tij u shua pikërisht në ditëlindjen e 55-të.
Kohëve të fundit, në Gjilan ka pasur një propozim për ndarjen e një çmimi në kuadër të pjesës muzikore të “Flakës së Janarit” me emrin e tij, por ende nuk është konkretizuar./Mediafokus.info/

