Kurti: Unë jam Kryeministër i shpresës, Vuçiq President i frikës

Kryeministri Albin Kurti i është përgjigjur një deklarate të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili tha se s’dialogon derisa Kurti është në krye të Qeverisë së Kosovës.

Kurti tha se kjo s’është forma e duhur e shkuarjes drejt pajtimit dhe BE-së, prandaj i rekomandoi atij që t’i ndalë deklaratat e tilla.

“Më 19 korrik është dashur të mbahet një takim në Bruksel. Unë kam qenë i gatshëm, por pala tjetër nuk ka qenë e gatshme dhe e ka shtyrë takimin për së paku një muaj. Gatishmëria nga ana e Kosovës ka qenë në nivelin e kërkuar nga Brukseli, por ka munguar nga Beogradi. Po i dëgjoj nganjëherë deklaratat që vijnë nga kreu shtetëror i Serbisë. Unë jam kryeministër i shpresës dhe progresit, me keqardhje më duhet të konstatoj se presidenti i Serbisë po shfaqet si presidentit i frikës, frikësimit dhe kërcënimit”, tha Kurti.