14-vjeçari në Beograd vret të paktën gjashtë persona në shkollë

Të paktën gjashtë persona kanë mbetur të vrarë në shkollën ‘Vladislav Ribnikar’ në Beograd, si pasojë e të shtënave që u shkrepën nga një nxënës 14-vjeçar.

Siç raporton nova.rs, në mesin e viktimave ka edhe fëmijë dhe një rojë ka humbur jetën, ndërsa lëndime serioze ka marrë edhe një mësimdhënës i historisë.

Ka edhe të tjerë të lënduar. Po ashtu raportohet për pesë nxënës të plagosur.

Disa media kanë raportuar se numri i të vrarëve është edhe më i lartë.

Është raportuar se 14-vjeçari kishte marrë armën e babait të vet për të kryer veprat. Sipas mediave serbe, ai kishte një kapuç të zi në kokë dhe po ecte i qetë sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Në hyrje është ndaluar një roje sigurie me të cilin ka debatuar dhe ka nisur ta sulmojë atë.

Autoritetet policore kanë bërë të ditur se gjithçka ka ndodhur në klasë, kur djali ka nxjerrë armën dhe ka filluar të qëllojë.

Disa media kanë deklaruar gjithashtu se mes fëmijëve ka edhe të vdekur, por ky informacion nuk është konfirmuar.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipe të ambulancës dhe një numër i madh policësh.

Ngjarjen e rëndë e ka përshkruar edhe një nxënëse e kësaj shkolle, e cila ka thënë se për të shpëtuar është bërë si e vdekur pranë trupave të shokëve të saj.

“Ka filluar të qëllojë rastësisht. Fillimisht ka qëlluar mësuesin e historisë dhe më pas ka vazhduar. Ai vrau dy nga miqtë tanë, unë isha e shtrirë mes tyre dhe ai mendonte se kam vdekur. Ai doli nga klasa, të shtënat dëgjoheshin ende. Kur u ngrita e pashë Dragançetin të vdekur”, tha vajza.

Siç raportojnë mediat serbe, pas të shtënave studenti tentoi të largohej me vrap, por shumë shpejt policia e mori në mbajtje.