16 vjet pa Rugovën, në Gjilan mbahet akademi përkujtimore

Sot shënohet 16-vjetori i vdekjes së ish-presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Presidenti Rugova ka vdekur më 21 janar të vitit 2006, pas një beteje me kancerin në mushkëri. Ai u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

Në përvjetorin e 16-të të vdekjes së tij do të bëhen homazhe te varri i tij në Velani.

Ndërkaq në ora 14:00 në Gjilan do të mbahet një akademi përkujtimore, në kuadër të manifestimit kulturor ‘Flaka e Janarit’, i cili organizohet këtu prej tri dekadash, në nderim të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit.

Në përvjetorin e parë të vdekjes së Ibrahim Rugovës, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e dekoroi Rugovën me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës.

Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor  të vitit 1944 në fshatin Cerrcë të Komunës së Istogut.