160 kandidatë kanë probleme me ligjin, nuk mund të garojnë në zgjedhje
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se 140 kandidatë nga subjekte të ndryshme politike nuk mund të garojnë në zgjedhje, sepse kanë probleme me ligjin.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media, ka bërë të ditur se këta kandidatë nuk janë në pajtueshmëri me Nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, pikën ‘q’, sipas të cilës kandidat nuk mund të jetë një person i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit.
Më tutje, ai konfirmoi se bëhet fjalë për 160 kandidatë që kanë kandiduar për kryetar komune apo për Kuvende Komunale dhe që kanë së paku një vendim përfundimtar të gjykatës me anë të të cilit janë shpallur fajtor për vepër penale në tri vitet e fundit.
“Në përgjithësi, janë 160 kandidatë nga lista prej më shumë se 5 mijë e 200 kandidatësh, të cilët kanë kërkuar të certifikohen qoftë në zgjedhjet për Kryetar Komune apo për Kuvende Komunale, por që kanë së paku një vendim përfundimtar të gjykatës me anë të të cilit janë shpallur fajtor për vepër penale në tri vitet e fundit”, ka deklaruar më tutje ai.
Elezi njoftoi se partitë politike e kanë mundësinë që të bëjnë zëvendësimin e kandidatëve me të tjerë.

