17-vjeçari doli para plumbave për ta mbrojtur babanë, por u vra edhe vetë
Një krim i dyfishtë ka tronditur Klosin mesditën e sotme. Baba e bir, Ilir dhe Keando Shira janë ekzekutuar në trotuar pranë një lokali në qendër të qytetit, raporton panorama.al
17-vjeçari mësohet se ndiqte shkollën profesionale në Klos dhe i ati i kishte dalë përpara, që të ktheheshin së bashku me furgon drejt fshatit të tyre, Fullqet.
Por në rrethana ende të paqarta janë qëlluar me breshëri plumbash në rrugë. 17-vjeçari ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa babai i tij është marrë me ambulancë por s’ka mundur tu mbijetojë plagëve të marra. Të plagosur kanë mbetur edhe dy persona të tjerë, që dyshohet se janë kalimtarë të rastit.
Sipas News 24, djali 17-vjeçari i kishte tentuar të mbronte të atin por ka mbetur i vrarë nga plumbat e marrë.
Trupi i tij i pajetë mësohet se ka qëndruar për rreth 1 orë e gjysmë në trotuar derisa ka mbërritur ambulanca. Sipas dëshmitarëve, edhe të atit iu është dhënë ndihma me vonesë nga bluzat e bardha.

