Babai i Shqipe Mehmetit nderohet nga Komuna e Gjilanit me titullin ‘Nderi i Qytetit”, merr pjesë edhe Maqedonci
Vetëm dy ditë pas seancës së Kuvendit të Kosovës, ku dështoi zgjedhja e Donika Gërvallës për kryeparlamentare dhe ajo që bëri bujë ishte abstenimi i Shqipe Mehmetit në votim pro, Komuna e Gjilanit e ka nderuar me titullin “Nderi i Qytetit” babain e saj, Fatmirin.
Ajo që ra në sy ishte prania edhe e ministrit Ejup Maqedonci, bashkëshortja e të cilit e kishte aprovuar gjestin e Shqipes përmes një postimi në facebook.
Në njoftimin e Komunës së Gjilanit, thuhet se Komandanti i UÇK-së Fatmir Mehmeti, nderohet nga kryetari Hyseni me titullin “Nderi i Qytetit”.
“Baca Fatmir, përfaqëson idealin më të lartë të atdhedashurisë dhe sacrifices”, tha me këtë rast Alban Hyseni, kryetar i Gjilanit.
Ai theksoi se në periudhën e luftës, Fatmir Mehmeti u kthye nga Gjermania për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së, duke dhënë shembullin më të mirë të përkushtimit ndaj vendit. Krah tij, në këtë rrugë të shenjtë, u bashkua edhe vajza e tij, sot kolegia jonë, Shqipe Mehmeti – Selimi.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se nderimi dhe respektimi i veprimtarëve të çështjes kombëtare dhe luftëtarëve të lirisë është vlerësim për të kaluarën e lavdishme të popullit tonë dhe frymëzim për brezat e ardhshëm.
“I’u bashkova kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hysenit dhe përfaqësuesve të Organizatës së Veteranëve të Luftës në nderimin e bacit Fatmir me titullin “Nderi i Qytetit””, tha ministri Maqedonci.

