18-vjeçarja lufton me thikë për të dashurin e saj

Dashuria e dy vajzave për të njëjtin djalë, për pak nuk është kthyer në një tragjedi. Policia ka njoftuar se një vajzë 18-vjeçe ka sulmuar me thikë një 20-vjeçare.

Ngjarja e rëndë është shënuar në Qytetin Studenti në Tiranë  ndërkohë që autorja e plagosjes është shpallur në kërkim pasi i ka ikur policisë.

Sipas të dhënave, vajza e plagosur është dërguar menjëherë në spitalin e Traumës për të marrë mjekimet e duhura dhe bëhet me dije se ka plagë të shumta në trup.

Mjekët tregojnë se gjendja e saj është jashtë rrezikut për jetën ndonëse e rëndë.

Sipas të dhënave kanë qenë disa kalimtarë të rastit që kanë ndërhyrë për të bërë të mundur ndarjen e vajzave dhe shpëtimin e jetës së të plagosurës.

SHERRI MES TË REJAVE

Policia e Komisariatit nr. 1 në Tiranë është vënë në dijeni se në Qytetin Studenti është plagosur një vajzë.

Duke dyshuar në autorësinë e ndonjë djali, është urdhëruar të ngrihen grupe të shumta pikash kontrolli, por pa i shkuar mendja kujt se autore e asaj plagosjeje ishte një vajzë.

E reja është larguar pa rënë në duart e Policisë, ndërkohë që në ambientet e spitalit, aty ku po merret edhe trajtimin mjekësor vajza me plaga thike është mësuar se plagosjen e ka kryer një vajzë, e cila mësohet se e ka akuzuar se i kishte marrë të dashurin.

Policia bëri me dije ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmë në orën 21:30 në zonën e Qytetit Studenti ku 18-vjeçarja Martina Z. ka qëlluar disa herë me thikë 20-vjeçaren Aurora G., duke i shkaktuar plagë në dorë dhe pjesën e poshtme të trupit.

Për fat të mirë, plagët nuk kanë qenë të rënda për Aurorën, e cila ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Burime nga Policia bëjnë me dije se shkak për sherrin ka qenë lidhja me një djalë. Ky i fundit ishte fillimisht në një raport me njërën nga vajzat dhe më pas me tjetrën, gjë që ka shkaktuar sipas Policisë edhe sherrin mes të rejave.

18-vjeçarja Martina Z., është në kërkim nga ana policia, nën akuzën për plagosje të rëndë me dashje.

Policia ka referuar dosjen në Prokurorinë e Tiranës për hetime të mëtejshme, ndërkohë pritet edhe dëshmia e djalit që u bë shkak për sherr, që për pak sa nuk përfundoi në tragjedi! (foto arkiv)