Kastrati i PDK-së: 200 mijë qytetarë kanë ikur për shkak të Kurtit

“Me qeverisjen tonë shtyllat e barazisë sociale dhe gjinore janë më të forta se kurrë”, tha kryeministri Kurti, gjatë ditës së djeshme.

Por, për deputetin e PDK-së, Ardian Kastrati, kjo është vetëm një propagandë e kryeministrit për fushatë parazgjedhore.

Kastrati në një përgjigje për GazetaBlic, thekson se tanimë qytetarët e kanë pa se me qeverisjen e Kurtit veç barazi sociale nuk ka, teksa ka përmendur edhe kategorinë e veteranëve të luftës.

“Kjo është vetëm një refren brenda frymës së propagandës parazgjedhore të Kurtit. Kjo deklaratë ka për adresë vetëm ata që Kurti i ka ofenduar duke i quajtur “analfabetë funksional” si dhe komunitetet si p.sh. ai i “notuesve të Ujmanit” që organizohen nga VV’ja për spote elektorale”

“Njerëzi racional e kanë pa çdo ditë dhe me fakte, se këtu vetëm barazi sociale nuk ka. Në asnjë Qeveri më herët nuk ka pasur më shumë diskriminim nga këndvështrimi ligjor dhe social. Këta kanë përjashtuar kategorinë e veteranëve me koordinim dhe votën e Listës Srpska, si dhe tentojnë përmes ligjeve diskriminuese t’i fusin në diktat politik shërbyesit civil”, thotë Kastrati.

Sipas Kastratit, barazi ka pasë veç për motrat, hallat e tezet e pushtetarëve.

“Ka pasur vetëm barazi nepotike për motrat, vëllezërit, hallat e tezet e pushtetarëve.Qytetarët që nuk kanë lidhje farefisnore me pushtetin, shpesh kanë mbetur të patrajtuar nga buxheti i shtetit. Kjo është lehtë e evidentueshme nëpër raportet mediatike dhe të organizatave të ndryshme”, thotë Kastrati.

Sipas Kastratit, me Qeverinë e Albin Kurtit pensionistët janë sjell buzë greminës, teksa thotë se pushteti ka përdorur edhe gjuhë diskriminuese ndaj kategorive të dala nga lufta.

“Pensionistët janë sjell buzë greminës për shkak të çmimeve të larta e pensioneve të ulëta. Pushteti ka përdorur gjuhë diskriminuese dhe të urrejtjes ndaj kategorive të dala nga lufta, duke i izoluar ata. Izolim kanë përjetuar edhe kategori të tjera dhe ky mosbesim në institucione i ka bërë që ta lëshojnë vendin”, tha Kastrati.

“Mbrojtje dhe barazi sociale, asnjë familje pa kulm mbi kokë dhe asnjë shtëpi pa dikë të punësuar” – Ky ishte premtimi i Kurtit para katër viteve, ndërsa gjatë mandatit të tij, kanë ikur 200.000 qytetarë, pikërisht sepse nuk gjejnë punë në Kosovë”, përfundon Kastrati për GazetaBlic.