22-vjeçarja tenton të vetëvritet me thikë shkaku i dhunës nga bashkëshorti

Një 22-vjeçare ka tentuar të vetëvritet shkaku i dhunës fizike dhe psikologjike nga bashkëshorti i saj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmë. Gruaja u dërgua menjëherë në spital dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i policisë:

Ushtroi dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, e cila më pas tentoi të vetëvritej, vihet në pranga 34-vjeçari.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Maliq, në vijim të punës për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Orman, Maliq, bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Dhuna në familje”, të shtetasit E. R., 34 vjeç, banues në këtë fshat.

Nga veprimet hetimore të kryera, rezulton se ky shtetas në banesë, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike, ndaj bashkëshortes së tij shtetases E. R., 22 vjeçe, e cila në gjendje të rënduar psikologjike, ka tentuar të vetëvritet me thikë dhe ndodhet në Spitalin e Korçës nën kujdesin e mjekëve. (foto arkiv)