24 vite burgim për burrin që vrau gruan e tij në Llaushë të Skënderajt

Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka shpallur fajtor Skender Qerimajn për vrasjen e bashkëshortes si dhe tri vepra tjera penale dhe i ka shqiptuar një dënim unik prej 24 vitesh burgim dhe 500 euro gjobë.

I akuzuari Qerimaj, për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” u dënua me 1 vit e 6 muaj burgim, për “Dhunë në familje” u dënua me 1 vit burgim dhe 500 euro gjobë, për  “Vrasje e rëndë”, u dënua me 22 vite burgim, kurse për “Armëmbajtje pa leje”, një vit burgim.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 12 maj 2022 ka ngritur aktakuzë kundër Skender Qerimajt.

Në pikën e parë të aktakuzës, thuhet se në muajin korrik të vitit 2021, i akuzuari Qerimaj në shtëpinë e tij në fshatin Llaushë, Komuna e Skenderajt, rreth orës 5 të mëngjesit me dashje i ka shkaktuar lëndim trupor bashkëshortes së tij L.Q.

Rasti thuhet se ka ndodhur, ashtu që pas mosmarrëveshjeve të vazhdueshme mes tyre, i akuzuari merr një çarçaf dhe me të e shtrëngon në fyt të dëmtuarën, me ç’rast i shkakton lëndime të lehta trupore – ndrydhje në pjesën e përparme dhe anësore në të dy anët e qafës dhe në pjesën mollëzore të majtë të fytyrës, me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Ndërsa në pikën e dytë të aktakuzës thuhet se i akuzuari Qerimaj, më 1 janar 2022, rreth orës 10:00, në shtëpinë e përbashkët familjare në fshatin Llaushë, Komuna e Skenderajt, ka ushtruar dhunë psikike me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër dhe atë ndaj bashkëshortes së tij – tani të ndjerës L.Q.

Sipas aktakuzës, thuhet se i akuzuari e ka fyer me fjalë dhe i ka thënë “dil nga shtëpia, se je kah më tradhëton”, dhe atëherë djali i tyre, tani dëshmitari A.Q, ka lajmëruar policinë, me ç’rast policia arrin në shtëpinë e të pandehurit dhe i dërgojnë në stacionin policor.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhuna në familje” nga neni 248, par.1 të KPRK-së.

Tutje, në pikën e tretë të aktakuzës, i akuzuari Qerimaj ngarkohej se më 5 janar 2022, rreth orës 13:30 në fshatin Llaushë, Komuna e Skënderajt, me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij – tani të ndjerën L.Q.

Në aktin akuzues thuhet se pas një mosmarrëveshje të vazhdueshme mes tyre, në shtëpinë e përbashkët familjare, gjegjësisht në dhomën e ndejës, i akuzuari ka kërkuar nga vajza e tij e mitur A.Q., që t’ia sjellë një gotë ujë.

Aktakuza thotë se pasi vajza ka shkuar në kuzhinë ka dëgjuar një krismë, është kthyer në sallon dhe ka parë babain e saj duke shkrepë armën – pistoletën e markës “Zoraki” dhe atë 6 herë në drejtim të tani të ndjerës-bashkëshortes së tij L.Q

E ndjera thuhet se është goditur në trup dhe si pasojë e plagëve ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në Spitalin rajonal të Mitrovicës.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, nënpar.1.3 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi