24 vjet më parë, Rugova u nderua me çmimin “Saharov”

Sot 24 vjet më parë, Parlamenti Evropian ia ndau çmimin “Saharov” presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës.

Rugova ishte president i zgjedhur me votë nga një shumicë dërmuese e popullit të Kosovës nga që nga viti 1992. Ai drejtoi një rezistencë paqësore kundër sundimit jugosllav, shkruan Klan Kosova.

Gjatë udhëheqjes së tij, ai loboi për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe të Evropës, posaçërisht gjatë luftës në Kosovë 1998-99.

Në vitin 1998, Parlamenti Evropian e nderoi Rugovën me çmimin ‘Saharov’ duke e cilësuar si një njeri të përkushtuar ndaj parimit të rezistencës paqësore ndaj dhunës.

“E konsideroj këtë çmim si nder për mua dhe për të gjithë popullin e Kosovës, njohjen e luftës sonë paqësore dhe sakrificave tona”, ishte shprehur ai.

Ibrahim Rugova ndërroi jetë më 21 janar të vitit 2006 [dy vjet para shpalljes së Kosovës si shtet të pavarur nga Serbia].

Rugova ishte personaliteti i dytë kosovar që u nderua me këtë çmim. Para tij çmimi iu nda veprimtarit të çështjes kombëtare Adem Demaçit.

Demaçi në moshë të re nisi të avokojë për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës brenda ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë gjë që i kushtoi me 28 vjet burgim në total.

Burgimi i tij nisi në moshën 22 vjeçare, sapo kishte botuar romanin e tij të parë “Gjarpinjtë e gjakut”. Të parën herë ai u dënua me tre vjet burgim, të dytën me dhjetë dhe të tretën me pesëmbëdhjetë vjet burgim.

Ai u lirua përfundimisht më 21 prill të vitit 1990 dhe një vit më pas u nderua me çmimin ‘Saharov’ për “kundërshtimin e tij ndaj një regjimi autoritar dhe intolerant”.