25 vite burgim për Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza
Gjykata në Prishtinë e ka dënuar Enver Sekiraqën me 25 vite burgim për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza, në një rigjykim të rastit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sekiraqës i është ndërpre edhe masa e arrestit shtëpiak.
Në seancën e fundit, më 29 prill, Prokuroria kishte kërkuar dënimin e Sekiraqës derisa ky i fundit kishte deklaruar se me ish-policin s’kishte pasur probleme më herët.
Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.
Mirëpo, Gjykata e Apelit më 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.
Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër.
Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim.

