29 deputetë përjashtohen nga parlamenti – mblidhet Sekretariati i Etikës

Mëngjesin e sotëm, në orën 10:00, Sekretariati i Etikës, do të mblidhet për të shqyrtuar kërkesën për masa disiplinore ndaj 29 deputetëve demokratë.

Partia Socialiste ka kërkuar të merren masa disiplinore ndaj 29 deputetëve demokratë pas tensioneve dhe incidenteve të ndodhura gjatë seancës plenare të 18 dhjetorit, në Kuvend, me argumentin se veprimet e deputetëve kanë qenë të organizuara dhe kanë përfshirë akte dhune dhe incidente të rënda.

Sipas qëndrimit të mazhorancës, aktet e dhunës nuk ishin spontane, por të organizuara nga drejtues të Partisë Demokratike, duke përfshirë Sali Berishën, Flamur Nokën dhe Gazment Bardhin.

Mazhoranca kërkon ndëshkime disiplinore që variojnë nga 10 deri në 60 ditë përjashtim nga seancat plenare dhe nga punimet e komisioneve parlamentare për deputetët e përfshirë: Belind Këlliçi, Fidel Kreka, Albana Vokshi, Ledina Alolli, Denisa Vata, Klevis Balliu, Flamur Noka, Elda Hoti, Gazment Bardhi, Sali Berisha, Besart Xhaferri, Xhelal Mziu, Bledjon Nallbati, Luçiano Boçi, Saimir Korreshi, Edi Paloka, Ina Zhupa, Klodiana Çapja, Oerd Bylykbashi, Enno Bozdo, Tomorr Alizoti, Ivi Kaso, Gent Strazimiri, Luan Baçi, Bledi Himçi, Greta Bardeli, Manjola Luku, Flamur Hoxha, Kliti Hoti.