3 Maj: Mediat e pavarura nga ndikimet politike dhe klanore, janë nevojë jetike në një shoqëri të lirë

Tre maji shënon Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Medias, kudo në botë dhe njësoj edhe në Kosovë.

Kjo ditë shënohet për të sjellë në vëmendje të autoriteteve se liria e shtypit dhe liria e shprehjes janë të drejta themelore të njeriut.

Në këtë ditë po ashtu rikujtojmë kolegët tanë, të cilët duke vrapuar pas lajmit e pas ngjarjeve, kanë gjetur vdekjen apo kanë përfunduar në burg.

Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Medias është themeluar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në dhjetor të vitit 1993, si një zgjatim i Seminarit mbi Promovimin e një shtypi të pavarur dhe pluralist afrikan.

Ky seminar u zhvillua në Namibi në vitin 1991 dhe solli miratimin e Deklaratës ‘Windhoek’ mbi Promovimin dhe Pluralizmin e Medias.

Deklarata ‘Windhoek’ është krijuar për ruajtur dhe nxitur një shtyp të pavarur, pluralist dhe të lirë.

Deklarata thekson rëndësinë e një shtypi të lirë për zhvillimin dhe ruajtjen e demokracisë në një vend, si dhe për zhvillimin ekonomik.

Neni 19 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut (1948) thekson se “të gjithë kanë të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes, kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit pa ndërhyrje, si dhe për të kërkuar, marrë dhe dhënë informacion dhe ide me çfarëdo mjeti pavarësisht nga kufinjtë.”

Në Kosovë, në këtë periudhë tranzicioni demokratik, janë themeluar numër i konsiderueshëm i mediave, por shumica e tyre vuajnë për mungesa e pofesionalizimit, sidomos disa media online, të cilave nuk u dihen as pronarët dhe as adresat.

Mediat e pavarura nga ndikimet politike dhe interesat klanore, janë nevojë jetike në një shoqëri të lirë dhe në një demokraci tranzitore, si kjo e jona./mediafokus.info