30 vjet në LDK, qëndrimet rebele: Kush është në të vërtetë Lutfi Haziri?

Lutfi Haziri është kandidat për kryetar të LDK-së në zgjedhjet e 14 marsit, e të cilat vijnë si rrjedhojë e dorëheqjes së kryetarit të deritashëm, Isa Mustafës, pas rezultatit zhgënjyes në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit. Por, kush është Lutfi Haziri?

Haziri është një politikan 52 vjeçar nga Gjilani, me një karrierë shumë të pasur politike.

Ai ka qenë pjesë e LDK-së që nga marsi i vitit 1990, kur ishte 21 vjeçar dhe e mori drejtimin e Forumit Rinor të LDK-së – dega Gjilan.

Prej asaj kohe, Haziri ka qenë në tri mandate kryetar i komunës së Gjilanit [2000/2004 dhe 2013-2021], ministër i Rinisë, Kulturës dhe Sporteve, ministër i Pushtetit Lokal dhe zëvendës-kryeministër.

Haziri njihet edhe për pasurinë e tij të madhe. Ai ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit [AKK], vetëm si pasuri të paluajtshme gati 2 milionë euro – prej të cilave, shumica janë nga tokat e trashëguara prej prindërve të tij.

Por, imazhi i tij interesant përbëhet nga një varg të bëmash, përkitjesh apo qëndrimesh të papërputhshme.

Haziri është parë tash e një kohë të gjatë si pjesë e ‘gardës së vjetër’ të LDK-së, ndoshta për shkak të përvojës së madhe por ndoshta edhe për shkak të pushtetit të madh të akumuluar në parti. Sidoqoftë, ai nuk ka rreshtur së qeni ndër politikanët më jo-konformistë të kësaj partie.

Megjithëse LDK-ja nuk njihet si parti që flirton me besimtarë myslimanë, Haziri është një praktikues i fesë pasi është parë disa herë duke u falur në një xhami..

Politikani i njohur gjerësisht si “Luta”, bëri edhe një tjetër ekspozim me ndikim në imazhin e tij prej politikani: ai ishte parë të kishte pasur një vath.

Qëndrimet

Haziri ka qenë një politikan rebel dhe i panënshtruar edhe sa i përket qëndrimeve të tij politike. Megjithëse ka mbrojtur vazhdimisht partinë e tij, Luta nuk ka përtuar të kërkojë llogari nga udhëheqja e partisë në rastin e rezultatit të dobët në zgjedhje. Një gjë të tillë ai e kishte paralajmëruar edhe në zgjedhjet e 6 nëntorit 2019, por edhe për zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

Kryetari i Gjilanit njihet edhe për mbështetjen e fortë që e gëzon në komunën e tij, Gjilan – dhe kjo edhe për shkak të qëndrimeve të shprehura pro shkëmbimit të territoreve. Kjo e vuri Hazirin në pozicion mjaft të zorshëm politik, duke qenë se ideja po kundërshtohej nga shumica dërrmuese e forcave politike dhe pjesa më e madhe e shoqërisë. Por, ai nuk u konformua dhe nuk u tremb duke u shprehur haptas dëshirën e tij që Presheva, Medvegja dhe Bujanovci t’i riktheheshin Kosovës.

Po ashtu, z.Haziri ka qenë mjaft kritik edhe ndaj kryeministrit Avdullah Hoti dhe qeverisë së tij.

Çka do të përfitonte LDK-ja me Lutfi Hazirin në krye?

Nuk dihet se cilët njerëz do t’i afronte dhe cilët do t’i largonte z.Haziri nëse merr pozitën e të parit të LDK-së. Sidoqoftë, ajo që dihet është se LDK-ja do ta kishte një kryetar dukshëm më dinamik se kryetarët e deritashëm, Rugova, Sejdiu dhe Mustafa.

Përveç kësaj, Haziri ka arritur të tregohet mjaft pragmatik në sigurimin e mbijetesës së tij politik – diçka që natyrisht se i vyen edhe LDK-së. Por, më e rëndësishmja, ai ka treguar guximin për të shprehur edhe qëndrime krejtësisht anti-popullore – tepër të nevojshme për një parti serioze politike.

Por, Haziri ka treguar se nuk i trembet aq shumë Vetëvendosjes dhe forcës së saj të madhe të shtrirë në rrjete sociale përmes linçimit e gjuhës së urrejtjes. Haziri dje në një konferencë për medie, ka treguar idetë e tij për ri-organizim të partisë./periskopi/