Surdulli shpreh keqardhje për keqkuptimin, i kërkon falje familjes Sherifi

Këshilltari i Kuvendi Komunal, Shefik Surdulli, ka dërguar një sqarim në redaksinë e portalit tonë, pas reagimit të familjes Sherifi, ku ai kërkon falje për keqkuptimet që kanë mundur të ndodhin, duke thënë se ky nuk ka qenë qëllimi i tij, raporton Mediafokus.info

Ky është teksti i plotë i sqarimit të këshilltarit Shefik Surdulli:

Në seancën e sotme të Kuvendit Komunal në Gjilan, ku është diskutuar për raportin e Komisionit komunal për ankesa të palëve të pakënaqura me emërtimin e rrugëve, ndër të tjera, unë kam bartur edhe një ankesë të familjes Krasniqi, e cila ka kërkuar ndërrimin e emërtimit të rrugës  “Sherif Sherifi” me emrin e ri “Nezir Krasniqi”, ngase ata pretendojnë (me dokumentacion) se ajo rrugë është private – pronë e tyre.

Në diskutimin tim, përveçse kam shkëputur pak biografi për Nezir Krasniqin, nga libri “Haki Myderriz Efendiu” të autorit Aliriza Selmani dhe Avni Aliu, me asnjë fjalë të vetme nuk e kam atakuar figurën e dëshmorit Sherif Sherifi.

Madje, në fjalën time kam thënë shprehimisht: “…Nuk jam kundër as një emërtimi të vendosur tashmë nga komisioni i mëhershëm për emërtimin e rrugëve, ngase secili nga ta përfaqëson diçka të vlefshme.  Assesi, as edhe për emërtimin paraprak që po bëhet fjalë për këtë rrugë.

Ndërkaq, pas ndjeshmërisë së çështjes, unë edhe në shkrimin që kam publikuar më vonë në media, kam thënë: “Edhe për rastin e një kontesti, që e ngrita në këtë seancë, të ndërrimit të emërtimit të një rruge private në Livoç të Epërm, kërkesë e familjes Krasniqi, komisioni mori obligim që me mirëkuptimin e këtyre dy familjeve (familjen e dëshmorit Sherif Sherifi dhe asaj të Nezir Krasniqit), të bëjë një zgjidhje adekuate, për të cilën shpresoj se do të realizohet me mirëkuptim”.

Reagimi i familjes së dëshmorit Sherif Sherifi më bëri të ndjehem keq dhe mua, për krahasimin e bërë sot në Kuvend, i cili ka bërë që kjo familje e nderuar e dëshmorit në fjalë, të lëndohet (mbase me të drejtë!).

Qëllimi im assesi nuk ka qenë për të nënçmuar asnjë emërtim, e hiç se hiç kur bëhet fjalë për dëshmorët, të cilëve iu përkulem me pietet.

Ndaj, për këtë keqkuptim, në mënyrë të sinqertë, edhe publikisht, i kërkoj falje familjes së dëshmorit Sherif Sherifi, ka thënë këshilltari komunal, Shefik Surdulli./MediaFokus,/