36 vjet LDK – parti e lirisë, dijes dhe shpresës

Këtu e 36 vite më parë, u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës, partia e parë politike në Kosovë.

Në shtator dhe tetor të vitit 1989, një grup shkrimtarësh dhe intelektualësh të Kosovës, ranë dakord që të themelonin një parti politike, e cila do t’i artikulonte kërkesat politike të shqiptarëve dhe do të bëhej nismëtare e proceseve të pluralizmit në vendet e bllokut të atëhershëm socialist.

Për udhëheqës të saj u zgjodhë Dr. Ibrahim Rugova, një intelektual me vizion perëndimor, i ditur dhe i urtë, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

Kjo lëvizje shqiptare fitoi përkrahje gjithë popullore ndër shqiptarët e Kosovës dhe po aq edhe simpati në skenën ndërkombëtare.

LDK-ja organizoi rezistencën politike e qytetare, organizoi jetën sociale, politike e publike, duke promovuar lirinë e fjalës, lirinë e shprehjes, tolerancën e humanitetin, duke promovuar vlerat autentike e universale në kohën e represionit më të egër serb dhe jugosllav në Kosovë.

LDK-ja si forcë politike, punoi për organizimin e jetës dhe ndërtimin e institucioneve demokratike, si bazë fundamentale e shtetit.

Në zgjedhjet e para në Kosovën e lirë, LDK me kryetar Dr. Ibrahim Rugovën fitoi bindshëm, sikurse i fitoi shumicën e komunave edhe në zgjedhjet lokale.

Ibrahim Rugova u identifikua si një lider i moderuar e paqësor, i cili ndërtoi raporte me bashkësinë ndërkombëtare dhe orientoi Kosovën drejt perëndimit.

Pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, LDK e udhëhoqën Fatmir Sejdiu, Isa Mustafa, kurse aktualisht, kryetar i saj është Lumir Abdixhiku.

Aktualisht, në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, LDK garon për Parlament dhe Qeveri./Mediafokus