365 mjekë të papunë, Vitia premton zgjidhje

365 mjekë janë regjistruar në Odën e Mjekëve si të papunë në Kosovë, ndërsa një pjesë e tyre po presin nga Ministria e Shëndetësisë konkursin për specializime.

Nga Oda e Mjekëve kanë thënë se ka grupacione në Ministrinë e Shëndetësisë, e të cilët qëllimshëm nuk po i hapin konkurset. Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, ka premtuar zgjidhje brenda pak ditësh.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, tha se apeli i institucioneve që mjekët të kthehen në Kosovë, ishte e panevojshëm, pasi shumë prej tyre janë të papunë.

Ai ka kërkuar që një pjesë e tyre të angazhohen nëpër QKMF.

Sejdiu ka pasur kritika edhe sa i përket qasjes së MSh-së ndaj Odave. Thotë se shumë herë po marrin “goditje të vogla” sa i përket këtij problemi.

Zgjidhje këtij problemi ka premtuar ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Ai për Ekonomia Online ka thënë se brenda pak ditësh konkursi për specializim do të zgjidhet sipas udhëzimit  administrativ.

“Është udhëzimi administrativ për shkollim specialistik i cili unë kam kërkuar nga grupi punues që ta katalizojë dhe të marrim natyrisht ky udhëzim duhet të ketë të gjitha vërejtjet të cilat kanë ekzistuar më herët për hapjen e specializimeve. Besoj që shumë shpejt në mos për dhjetë ditë ose dy javë ky udhëzim administrativ do të jetë në tavolinën time dhe posa të nënshkruhet udhëzimi administrativ ku do të adresohen të gjitha ato vërejtjet e problemet e identifikuara më herët që mos të na përsëriten prapë, menjëherë do të hapet edhe konkursi për specializim”, tha Vitia për EO.