5 nëntori vendimtar, zgjedhje të reja apo mandatar të dytë?
Të mërkurën, më 5 nëntor, përfundon afati dhjetë ditor brenda të cilit presidentja e vendit, Vjosa Osmani, duhet të mandatojë një kandidat tjetër për kryeministër ose të shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Më 26 tetor, në Kuvendin e Kosovës dështoi votimi për formimin e Qeverisë “Kurti 3”, transmeton Telegrafi.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, paraqiti para deputetëve kabinetin e tij të ri qeveritar, por propozimi nuk u miratua, pasi mori vetëm 56 vota për.
Pas këtij zhvillimi, presidentja Osmani nisi konsultimet me subjektet politike. Të premten ajo mbajti një takim të përbashkët me liderët e partive, ku u diskutua për hapat e mëtejshëm.
Pas takimit, Osmani deklaroi se do të bëjë gjithçka që është e mundur për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
Presidentja theksoi se, sa i përket mandatarit të parë, është e qartë se ai i takon vetëm partisë që ka dalë e para në zgjedhje. Ndërkaq, sipas saj, nuk ekziston asnjë kufizim se cila parti mund të propozojë mandatarin e dytë.

