5 vite më parë artdashësit i thyen dyert e Teatrit të Gjilanit, Enver Petrovci mbeti ‘pafrymë’
Pesë vite më parë u thyen dhunshëm dyert e Teatrit të Gjilanit, raporton gazeta online Mediafokus.info.
Ata që i thyen nuk ishin vagabondë, por njerëz të eutur për të parë shfaqje teatrale.
Saktësisht, ngjarja kishte ndodhur më 27 janar, para fillimit të shfaqjes “Gishti” të autores Doruntina Basha dhe me regji nga Erson Zymberi, ku kanë interpretuar dy aktoret e njohura, Teuta Krasniqi dhe Irena Cahani, në kuadër të manifestimit kombëtar të kulturës “Flaka e Janarit 2016”.
Salla ishte mbushur përplot dhe menaxhmenti ishte detyruar t’i mbyllë dyert.
Por, artdashësit nuk e bënë ‘hesapë’ menaxhmentin e atëhershëm, duke thyer dyert dhe u futën për ta parë shfaqjen, vijon Mediafokus.info.
Ky akt e kishte lënë ‘pafrymë’ legjendën e kinematografisë shqiptare, Enver Petrovcin.
I impresonuar nga kjo dëshirë e madhe e gjilanasëve për të parë shfaqje, Petrovci ishte zotuar se derën do ta paguaj ai.
“Gjatë hyrjes mora vesh se ‘kijamet’…Mbrëmë, nga turma e madhe, është thyer dera e teatrit. Ky ishte gëzim shumë i madh për mua. Atë derë unë do ta paguaj. Ka kohë shumë të gjatë që nuk kam dëgjuar të jetë thyer dera në Kosovë apo Shqipëri, për teatër”, kishte thënë Petrovci, më 28 janar 2016, transmeton Mediafokus.info.
Ndërkohë, kreu i kësaj komune, Lutfi Haziri, shpeshherë e ka cilësuar Gjilanin ‘kryeqytet kulturor të shqiptarëve në Ballkan’.
Sot, pandemia e ka bërë të vetën dhe pjesëmarrja nëpër aktivitete në teatër nuk lejon më shumë se 40 për qind të ulëseve, që i bie më pak se 100 persona./Mediafokus.info/
Shijoni fotot e mëposhtme të publikut të mrekullueshëm gjilanas, në ditën kur u thyen dyert, më 27 janar 2016:

Yjet e shfaqjes “Gishti” – Teuta Krasniqi e Irena Cahani

Enver Petrovci, në përmbyllje te “Talia e Flakes 2016”

Prezenca e jashtezakonshme e publikut në shfaqjen “Gishti

Në foton e mëposhtme, “Fest Flaka 2016”


