600 mijë makina në ‘vetting’ për kilometra, manipuluesit i pret ndëshkimi
Nga janari i 2022-shit çdo automjet që paraqitet për t’u kolauduar, përveç kontrollit të të gjitha pjesëve teknike të mjetit, do të kryhet edhe verifikimi i kilometrazhit të vërtetë, i cili deri më sot ka qenë i manipulueshëm.
Përpos verifikimit të gjendjes teknike të mjetit në qarkullim, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka futur edhe odometrin, pajisjen që nxjerr kilometrat e saktë që ka bërë automjeti deri në momentin që paraqitet për kolaudim. Kjo i jep fund njëherë e mirë abuzimeve me shitblerjen e makinave, një shqetësim i madh prej vitesh.
Këtë e njoftoi drejtori i Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe, duke e argumentuar se veç të tjerash, pajisja do të frenojë edhe hyrjen e mjeteve shumë të amortizuara, shkruan panorama.al
“Leximi i odometrit tashmë përfshihet në certifikatën e kontrollit teknik të mjeteve rrugore! Kilometrazhi në momentin e kolaudimit, verifikimi me fishë për mjetet me të dhëna dixhitale dhe skanimi i kroskotit janë sot pjesë PA PAGESË e shërbimit!
Kjo risi sjell dokumentimin e kilometrazhit, dekurajimin e spekulimeve në treg, nxitjen e mbajtjes së librave të shërbimit (nga autoriparues të ligjshëm) dhe mbrojtjen e konsumatorit, blerësit, sikurse frenojmë hyrjen në vend të mjeteve të tejamortizuara”.
Mjeteve rrugore që rezultojnë me ulje kilometrazhi në momentin që e kanë blerë do t’u shënohet në certifikatën e kolaudimit statusi real kurdo që ata të paraqiten për kontroll.
“DPSHTRR, përmes sistemeve të reja mbi verifikimin e mjeteve, rezervon të drejtën të gjejë dhe nxjerrë kilometrazhin e vërtetë për mjetet rrugore të importuara, me kilometra, nëse ka mospërputhje me statusin e tyre në kolaudimin e parë në Shqipëri, sikurse të kërkojë nga homologët e huaj informacion në kohë reale mbi statusin më të fundit të odometrit!
Mjeteve rrugore që rezultojnë me ulje kilometrazhi do t’u shënohet në certifikatën e kolaudimit statusi real! Nga janari 2022 në certifikatën e kolaudimit do të kemi edhe format historiku kilometrazhi”, shton Gonxhe.
Një gjë e tillë është pritur tejet mirë nga qytetarët, të cilët shprehin rezervat e tyre duke preferuar që ky “vetting” të kryhej që në doganë dhe jo pasi të jetë kryer blerja e automjetit.
Odometri mund të kthehet në “mollë sherri” midis shitësve dhe blerësve të makinave, pasi kilometrat realë zbulohen vetëm kur këta të fundit paraqiten për të kryer kontrollin teknik.
Drejtorisë së Shërbimeve të Transportit Rrugor iu deshën muaj për të marrë në duar shërbimin e kolaudimit nga koncesionari. Ndryshimet e reja që u bënë në ligj, të cilat e çuan një herë në dy vjet kontrollin teknik, iu dhanë kohë të dyja palëve të bëheshin gati për shërbimin e ri, tanimë në duart e shtetit.
Nga 2022-shi do të rihapen me kapacitet të plotë qendrat e kolaudimeve duke ofruar edhe shërbime shtesë, siç është odometri.
Pra, ata që u kolauduan në 2020-ën, kontrollin e radhës duhet ta bëjnë në 2022-shin, ndërkohë që gjatë kësaj kohe duhet të kenë paguar rregullisht taksat dhe siguracionet. Kjo vlen vetëm për qarkullimin brenda vendit. Për ata që planifikojnë udhëtime jashtë Shqipërisë nevojitet kontrolli teknik që mund të rezervohet online.


 
 
						 
						