65-vjeçari gjen para afër xhamisë, i dorëzon në polici
Një 65-vjeçar nga Kaçaniku ka gjetur një shumë parash afër një xhamie dhe i ka dorëzuar në polici. Ende nuk dihet se kujt i takojnë të hollat e gjetura.
“Një qytetar nga Kaçaniku, Rrahim Loki, 65-vjeçar, me profesion tregtar, ka gjetur një shumë të caktuar të të hollave afër xhamisë së këtij qyteti. Ai menjëherë e ka njoftuar policinë dhe të hollat e gjetura i ka dorëzuar në stacionin policor të Kaçanikut. Kjo shumë e të hollave, deri më tani nuk dihet se kujt i takojnë (i kanë humbur)”, thuhet në njoftimin e policisë.
Po ashtu, policia ka bërë thirrje që personit të cilit i kanë humbur këto të holla, të paraqitet në stacionin policor në Kaçanik.
“Lusim pronarin e vërtetë të këtyre të hollave të paraqitet në stacionin policor në Kaçanik dhe të vërtetohet pronësia për t’ia dorëzuar ato. Me këtë rast, Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka falënderuar qytetarin Rrahim Loki për gjestin human dhe shembullor me rastin e dorëzimit të të hollave të gjetura në stacionin e policisë”, ka bërë të ditur policia. (foto arkiv)

