Gjykata Penale e Lucernit e ka dënuar kosovarin, i cili u arrestua në Shqipëri në gusht të vitit 2021 në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar dhe u ekstradua në Zvicër, për keqmenaxhim të shumëfishtë dhe mosmbajtje kontabiliteti, shkruan sda.ch.

Gjykata i ka shqiptuar atij një dënim të pjesshëm me burg prej 14 muajsh, nga të cilat ai duhet të vuajë gjysmën.

Që nga viti 2011, i akuzuari kishte marrë përsipër rreth një duzinë kompanish që ishin në situatë të pasigurt financiare.

Për të vonuar hapjen e falimentimit, ai krijonte distancën sa më të madhe hapësinore dhe kohore nga organi i mëparshëm, për shembull duke zhvendosur selinë e kompanisë ose duke ndryshuar emrin e saj.

Ai merrte nga 2.000 deri në 5.000 franga për blerje, me të cilat, sipas gjykatës, kishte realizuar një fitim deri në 55.000 franga.

Ndërsa dëmi i shkaktuar ishte të paktën 900 000 franga, i cili është akumuluar si pasojë e falimentimit ekonomik të kompanive.

Veç dënimit që do ta mbajë ai duhet të paguajë shpenzimet procedurale prej 9400 frangash.