7 vjet pa Ramiz Kelmendin, kështu e kujton publicisti Bardhyl Meta

Nga: Bardhyl Meta

Qenkan bërë so 7 vite nga dita kur – ndërkohë që isha n’makthin e lëngatës sime shendetesore – mes dy botërash – m’erdhi lajmi (12 Janar 2017) ne Heidelberg se kishte ndrue jetë – miku im shumë i shtrenjtë dhe shumë i dashur – shkrimtari, publicisti dhe kolumnisti i mrekullueshëm dhe unik. Kishte “përzgjedh” botë tjeter – shmekeri dhe urbanci që ishte ikonë e gjeneratës së lindur në vitet e 30-ta, z. Ramiz Kelmendi!

– U pikëllova dyfish, ngase për shkak të gjendjes sime shëndetësore dhe sherimit n’Gjermani, s’munda të marr pjesë as në homazhet, as në mbledhjen komemorative dhe as në varrimin e mikut të dashur…!

– Edhe pse me djalin e tij, Migjen Kelmendin, ishim dhe jemi shokë e miq që nga vitet e 80-ta, sikur që ishim edhe bashkëpunëtor të afërt, edhe në kohen e pasluftës, kur nga Zvicra mbaja tek e përjavshmja e tij “Java”, serinë e kolumneve të mia të rregullta aty – “Rewriting the Soul” – megjithatë, pas kthimin tim nga Zvicra n’atdhe (viti 2010), më shumë jam takuar e kam pirë kafe me babain e tij, Ramiz Kelmendin, sesa me vet Migjenin…

Thjeshtë na shkonte muhabeti…!

E kisha frymëzim për shumë’çka, ndërkohë që edhe ai, më bombardonte me komplimente per kolumnet e mia…, më quante me emrat e publicistëve më të mëdhenj kombetare…, dhe apelonte, që asnjëherë t’mos i ndërpresë shkrimet e kolumnat, pa marr parasysh angazhimet tjera…!

Kur u mbajt evenimenti i kyçjes sime në Lidhjen Demokratike të Kosovës në Sheshin 21, ashtu sikur edhe miqtë tjerë publicistë, Halil Matoshi e Baton Haxhiu, Astrit Gashi e Beq Cufaj, Bajrush Morina e Kushtrim Sadiku – aty, erdhi edhe eminenca e tij, Ramiz Kelmendi, më përgëzoi fort e fort dhe m’shpaloi kohen kur ishte angazhuar në themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës…

Me qenë se është thanë e do të thuhet n’kontinuitet edhe shumë çka rreth Ramiz Kelmendit shkrimtar e publicist, unë, në këtë rast, dua të theksoje një tipar tjetër të tij – atë të shmekerit, dhe atë tjetrin, të një zotëriu dhe njëkohësisht frajeri dhe flirtuesi të pa epur – një 86-të vjeçari, ndër më sharmantët që kam parë apo takuar ndonjëherë, kudo qoftë në botë…

Ramiz Kelmendi, shkrimtar, intelektual dhe publicist, dhe Ramiz Kelmendi si njëri ndër themeluesit dhe ngjizësit e Lidhjes… së Ibrahim Rugovës për “Liri, Demokraci e Pavarësi” ishe mbi të gjitha një njeri i mrekullueshëm dhe një ikonë shumëdimensionale e Prishtinës dhe Kosovës!

Qoftë i përjetshëm kujtimi për Ty – Maestro Ramiz Kelmendi – dhe i lehtë, dheu i Kosovës!