71-vjeçari u gjet pa shenja jete në shtëpinë e tij në Gjilan

Në qytetin e Gjilanit, një burrë është gjetur pa shenja jete në banesën e tij.

Sinjali mëson se personi i cili është gjetur i pa jetë është Shaban Zymeri, rreth 71-vjeçar.

Sipas burimeve, viktima jetonte i vetëm, pasi anëtarët e familjes së tij ndodheshin me punë të përkohshme në Perëndim.

Ai ishte nën kujdesin e vazhdueshëm të një familjareje, e cila jetonte pranë dhe sot kishte tentuar ta kontaktojë me telefon.

Kur nuk kishte marrë përgjigje, kishte shkuar në shtëpinë e tij dhe e kishte gjetur të shtrirë në korridor, pa shenja jete.

Menjëherë është njoftuar Policia dhe Qendra Emergjente, ndërsa mjekët kanë konstatuar vdekjen në vendngjarje.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet hetimore dhe krimteknika, të cilët kanë kryer ekzaminimet fillestare, ndërsa me urdhër të Prokurorit Kujdestar të Prokurorisë Themelore në Gjilan, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për autopsi.

Rasti është cilësuar si “vdekje e dyshimtë”, dhe hetimet po vazhdojnë për të sqaruar rrethanat e sakta të ngjarjes.