8 të vdekur dhe 326 raste të reja me COVID-19

Tetë persona kanë humbur jetën nga COVID-19 në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa janë konfirmuar edhe 326 raste të reja me virusin.

Të infektuarit me COVID kanë dalë nga 2601 testime që janë kryer, nga ku kanë rezultuar edhe 206 qytetarë të shëruar. Deri më tani, në vendin janë regjistruar 195,629 raste shërimi nga COVID që prej fillimit të pandemisë.

Aktualisht në Shqipëri janë 5640 persona të infektuar me COVID-19. 133 pacientë po marrin trajtim në spital, 13 prej të cilëve janë në gjendje më të rënduar shëndetësore.

Ministria e Shëndetësisë u bën apel qytetarëve të vaksinohen sa më parë. Çdo qytetar mbi 16 vjeç, mund të vaksinohet në qendrën shëndetësore ose në pikën më të afërt të vaksinimit të përqëndruar.

Vaksinimi është i hapur edhe për fëmijët +12 vjeç me probleme të sistemit imunitar, me rekomandim nga mjeku. Gjithashtu ka nisur vaksinimi me dozën e tretë për të gjithë qytetarët +18 vjeç që kanë kaluar 6 muaj nga kryerja e dozës së dytë.