9-vjeçari nga Gjilani, i dyti mes 500 pianistëve nga mbarë bota

Në mesin e shumë konkurrentëve nga katër kontinente, Azia, Amerika, Evropa e Australia, gjilanasi Kushtrim Bajrami, 9-vjeçar, në garën ndërkombërtare për piano, është renditur në pozitë të dytë nga 500 pianistë sa kishin marrë pjesë.

Pjesëmarrëse ishin 36 shtete nga mbarë bota, siç janë: Spanja, SHBA, Kanada, Australia, Anglia, Kina e shumë shtete të tjera me tradita të mëdha në ekzekutimin e pianos, shkruan albinfo.ch

Bajrami, i cili është në klasën e tretë në shkollën ‘Musa Zajmi’ në Gjilan, tani e dy vjet është edhe nxënës i rregullt në klasën e dytë të muzikës për piano, ku fshehtësitë e këtij instrumenti me mjaft sukses i ka mësuar nga mësuesja Hajrie Bislimi.

Në Sarajevë, Bajrami ka lënë mbresa të mëdha si te publiku, po ashtu edhe te juria profesionale, e cila ishte e përbërë nga muzikantë të njohur nga katër kontinentet pjesëmarrëse.