96-vjeçarja e akuzuar për krimet naziste zhduket përpara gjyqit

Presidenti i Gjykatës së Itzehoes, Dominik Gross, njoftoi se një urdhër arresti është lëshuar për Irmgard Furchner, e cila nuk u paraqit në gjyqin që do të fillonte sot dhe u konsiderua e arratisur.

Dominik Gross deklaroi se do të kontrollohet nëse e akuzuara do të kapet dhe nëse ajo do të jetë e aftë për të marrë pjesë në seancë në mënyrë që të fillojë çështja, përcjellë trt.net.

Sipas gazetës “Bild”, ish-sekretarja naziste, e cila banonte në një azil pleqsh në Quickborn, mori një taksi vetëm këtë mëngjes për të shkuar në stacionin e metrosë Norderstedt, por më vonë u zhduk në drejtim të panjohur.

“E pandehura akuzohet se ka ndihmuar udhëheqësit e kampit në vrasjen sistematike të të burgosurve midis qershorit 1943 dhe prillit 1945, në cilësinë e saj si stenografe dhe daktilografiste në zyrën e komandantit të kampit të përqendrimit Stutthof”, theksoi gjykata në një deklaratë paraprake.

Gjyqi do të zhvillohet në një gjykatë në Itzehoe, në landin e Schleswig-Holstein, rreth 50 kilometra në veriperëndim të Hamburgut.

Sipas vlerësimeve të qendrës zyrtare gjermane për hetimin e krimeve naziste në kampe, kishte rreth 65 mijë të burgosur në kampin në periferi të Gdanskut.

Transmetuesi publik “ARD” raportoi vitin e kaluar se e moshuara ishte marrë në pyetje disa herë si dëshmitare.

Në vitin 1954, ajo dëshmoi se e gjithë korrespondenca me Zyrën Kryesore të Administratës Ekonomike “SS” kishte kaluar mbi tryezën e saj dhe se komandanti Paul Werner Hoppe i diktonte asaj letra e mesazhe radio çdo ditë.