Kush po thërret: Merrjani sharrën Bilallit, sepse e shkatërroi të shkuarën

Në të gdhirë të së martës, një lagje e vjetër e Tetovës nuk kishte më pemë. Një pamje me të cilën njerëzit nuk ishin mësuar ta shihnin dhe jo më ta besonin se mekanizmat e sharrës do e “masakronin” në këtë mënyrë.

Shumë kujtime të njerëzve u shuan dhe ata drunjtë të rritur prej dekadash nuk janë më.

Tetova e ndryshimeve mbeti e ç’veshur edhe kësaj radhe jo vetëm nga drunjtë që nuk japin hije dhe bukuri, por edhe nga një besim i humbur ndaj autoriteteve që po e bëjnë më zi pamjen e një qytetit në emër të vendimeve që vetëm ata i dinë.

Kërkojnë ndjesë se duke prerë drunjtë që japin jetë paskan krijuar tollovi në komunikacion, a nuk janë të vetëdijshëm se çfarë i kanë shkaktuar natyrës dhe qytetit që e qeverisin.

Nëse e gjithë kjo kalon paqtë, atëherë lagje të tjera presin radhën e “ekzekutimit” të një urdhri tjetër skandaloz.

Deri dje njerëzit ishin mësuar pa ujë, me plot mbeturina ndërsa prej sot duhet të mësohen edhe pa drunj në  rrugën “Strasho Pinxhur”.

Po trashëgimia e qytetit ku mbeti. Apo trotuaret dhe ndërtimi i rrugëve është më i rëndësishëm se sa historia e një qyteti duke ia ”vrarë” të shkuarën?!

Po kush e dha një urdhër të tillë të ngutshëm dhe për çfarë i duhet një pamje qytetit kur ia ke prerë jo vetëm drunjtë por edhe të kaluarën.

Ka njerëz që prej vitesh ishin mësuar me gjelbërimin e pemëve ndërsa sot e tutje do të duhet të mësohen me një pamje të frikshme dhe rrënimin e kujtimeve.

Kryetari Bilall Kasami tha se Tetova për çdo ditë po fillon e të merr një pamje të re të zhvillimit dhe ndërtimit të saj, por sot çdo gjë u prish. Filizat e njomë nuk zëvendësojnë dot ata drunj gati gjysëm shekulli aty.

Tetova nuk ka nevojë për beton, por për gjelbërim dhe gjëja e mirë e vetme e kësaj dite të zezë në qytetin tonë që po vuan prej kohësh nga keqqeverisjet janë reagimet e shoqatave si Eco Guerila dhe ”Më Mirë për Tetovën”.

Nëse sot u shkatërrua një lagje për të cilën për autoritetet është një ”zhvillim dhe ndryshim” atëherë nëse nuk ndalet kjo makineri e rrënimit, Tetova së shpejti do duket si një shkretëtirë.

Andaj sa më parë t’ia marrim sharrën Bilallit, aq më të mbrojtur do të jemi nga hija e drunjëve nesër./Tetova Sot