Goditet grupi kriminal i cili bashkëvepronte në Shqipëri dhe Kosovë

Policia e Kosovës, në vazhdën e realizimit të objektivave strategjike në luftën kundër krimit të organizuar dhe të të gjitha llojeve të trafikimit, pas operacionit të djeshëm të realizuar në Mitrovicë – Veri ku ishin arrestuar katër (4) persona dhe ishte shkatërruar një laborator për kultivim të drogës, një operacion të ngjashëm e ka realizuar edhe sot në orët e hershme të mëngjesit në rajonin e Mitrovicës-Jugu dhe në Fushë Kosovë, i cili ka rezultuar po ashtu me arrestimin e pesë (5) personave të dyshuar dhe konfiskimin e mbi pesëdhjetë e gjashtë (56 kg) substancave narkotike të llojit marihuanë.

Operacioni policor është realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me prokuroritë kompetente, ku pas hetimeve të zhvilluara janë identifikuar personat e dyshuar të cilët dyshoheshin se në bashkëveprim trafikonin narkotikë nga Shqipëria në Kosovës dhe pastaj për destinim jashtë Kosovës.

Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve policore, fillimisht në lagjen Uglar të Fushë Kosovës është identifikuar i dyshuari (transportieri) i parë (S.B,) i cili drejtonte një veturë të tipit Mercedes, me të cilën transportonte substancën narkotike të fshehur në bunkerin e modifikuar të veturës.

Më pastaj përmes Pikës Kufitare Vërmicë ka hyrë edhe i dyshuari i dytë (B.R,) me veturën e tij po ashtu të tipit Mercedes, i cili ka vazhduar në drejtim të Mitrovicës Jugu ku e priste personi i tretë (N.M,), me të cilin kanë vazhduar në shtëpinë/garazhin e të dyshuarit e cila gjendej në fshatin Vaganicë.

Bazuar në planet taktike të hetuesve policorë të DHTN-se dhe njësiteve policore, të njejtit kanë reaguar duke i arrestuar të dyshuarit në flagrancë, ku gjatë kontrollit të automjetit të dytë dhe të tretë, i cili gjendej në garazh, janë zbuluar po ashtu bunker të modifikuar.

Si vazhdimësi e kontrollit dhe bastisjes së automjeteve (të tria të tipit mercedes), dy prej tyre me targa të Shqipërisë, një me targa vendore si dhe bastisjes së shtëpisë, janë arrestuar edhe personi i katërt dhe i pestë, të dy me inicialet (A.M,).

Në cilësi të provave materiale janë konfiskuar dëshmitë si në vijim:

 (56 kg 81 gr) substancë e dyshuar narkotike e llojit Marihuanë
 (3) vetura të tipit Mercedes (dy me targa te Shqipërisë një me targa vendore, që të tria me bunker të modifikuar në të njëjtën mënyrë)
 (7) telefona celular
 (10507) euro (dhjetëmijë e pesëqind e shtate euro) si dhe disa monedha Lek te Shqipërisë dhe Denar te Serbisë.

Me vendim mbi ndalimin e personave, katër të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në veprën penale “Blerja, posedimi shitja e paautorizuar e substancave narkotike psikotropike dhe analoge”, ndërsa i dyshuari i fundit vazhdon në procedurë të rregullt.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e grupeve kriminale pa dallim dhe parandalimin e krimit të të gjitha llojeve, në veçanti luftë e pa kompromis do të bëhet ndaj abuzuesve dhe trafikantëve me substanca narkotike, thuhet në njoftimin e policisë.