Koha kur Kurti fliste për kompaninë serbe Genex që u themelua nga Millosheviqi

Komapnia sllovene GEN është ajo për të cilën cila mediat në Slloveni kanë raportuar se ambasadori Martin Berishaj i kishte marrë mbi 600 mijë euro. Prapa degës së kësaj kompanie në Serbi, është raportuar se qëndron një mafi energjetike që përfshin biznesmenë si Vuk Hamoviq e Damir Fazliq. Për këtë strukturë mafioze të energjisë, po del se ka qenë mirë i njoftuar edhe vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Për një kompani Genex, mafinë energjetike dhe personat e përfshirë në monopol të rrymës në Ballkan, kishte folur gjerë e gjatë kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti. Në emision Pressing në T7, saktësisht më datë 25 prill 2019, Kurti tregon për disa rrëfime që kishte marrë në Bosnje për këtë kompani. Madje, ai thoshte se kompaninë Genex e ka themeluar Sllobodan Millosheviq, raporton Nacionale.

“Në katër luftërat ku ka marrë pjesë Serbia e ka pasur njeriun kryesor Jovica Stanishiqin, aty është problemi. Një njeri super i fuqishëm dhe njeri i afërt me Millosheviqin, kasapin e Ballkanit. Dhe i cili e ka formuar një parti, tri formacione paramilitare, dhe një ndërmarrje ekonomike. Formacionet paramilitare janë tigrat e Arkanit, beretat e kuqe dhe skorpionët, në të gjitha lufëtrat kanë kryer krime, sepse ka qenë në interes të shërbimit sekret që të mos fajësohet ushtria”, tregonte fillimisht Kurti.

“Partia Radikale Serbe me kryetar dikur Sheshelin e sot Vuçiqin është formuar prej Stanishiqit, që Millosheviqi të jetë më i relaksuar në takimet me Hoolbroken. Ka qenë një kompani, ndërmarrje që e kanë quajtur GEN-ex. Atë e ka ndërtuar UDB-ja, sepse pasi e kanë parë që po kalojnë prej socializmit vetqeverisës në ekonomi të tregut të lirë, kanë thënë edhe këtu duhet të depërtojmë të parët edhe e kanë themeluar GEN-exin. Shumë prej strukturave kriminale sot janë ekonomike. Psh mafia energjetike në Ballkan. Edhe në atë kompaninë GEN-ex që prej këtyre miqve të mi që janë veteranë të luftës nga ana e boshnjakëve, prej atyre kam kuptuar këto gjëra”, tregonte Kurti.

Në këtë intervistë Kurti flet edhe për Damir Fazliq e Vuk Hamoviq.