Pasha natën e vorrit po munohna askan mos me e ‘shkelë n`pazar’
Hasan Bunjaku
Pasdrekën e nesërme, ashtu si qenë marrë vesh një mbrëmje më hret, në Odën e Babgjysh Demirit, ishin tubuar kryeparët e edhe ndonjë i rritur tjetër i familjeve të Lagjës së Bunjakëve, kësaj radhe, për t’ia “pre” pazarin me tamam, pasurisë së paluajtshme të Zotshpijes së konakut, si dhe cili, apo cilët do t’i “binin” që ta kishin të veten atë.
Pa e zgjatë shumë, si e vërejti se tashmë ishin tubuar që të gjithë të interesuarit, Zymeri i Shefkis Dinit, të cilit babai qysh mbrëme më parë ia kishte “lënë në dorë” pazarimin – e hapi bisedën:
– Vllazën, si po e dini, qysh u morrëm vesh dje, sod u tubuem të tanët, me e ba Pazar mylkin e Demir Rrahman Demës, qi me kysmet po ia banë menjen, me izën e Zotit, ta “lëshojë” venin e të shkojë për Turki. Demiri, pra, po i shet me ka krejt, shpi, ara, livadhe, male, kullosa, hisen e mullinit, e kush të jetë i “nxetë” me e ble, ose me ka kejt, ose noni copë, bujrun, qe ku tek e kemi. Mylkin e ktij Zotshpije, e dini e e njihni me pllamë, e nuk ka se shka me jau livdue e as me jau hjeshue unë, veç ni sen e di, qysh ma merrë menja mue, n’mahallë, po ere thuj në krejt Desivojcën, pak ka ksi mylki të marë, të mirë e besa ere të bollshëm. Unë kaq, sa për nismë.
– Hajërli koftë e, edhepse kaq shumë po na dhimet si kusheri të mirë qi e kemi, masi e paska ba me nja me u “çue”, ishalla me të marë e me kollajllëk. Po, sa ia kini lanë fijatin ktij mylki, o Zymer? – veti Dalipi
– Na, po i thojmë 90 lira t’dukatit, e sa t’jenë menasip. – ia kthei Zymeri.
– Po, n’at vakt kejt kjo hisja e Bunjakëve, pej Prronit të Demirit e teri te Prroni i madh, Teri n’Mazhicë e Teri n’Prushicë, Tevona hisja e Zhigollëve, Dinoviqe, e e Pejollëve, ka kushtue 100 lira, e ju veç hisës së Demirit po ia “preni” veç 10 lira ma pak, a? – foli Haziri i Xhemës.
– Qashtu asht, o Hazir, po, ma s’pari, lira e atëherëshme, nuk mun krahasohet me lirën e sodshme, se at’herë ni lirë ka pasë nashta dhetfish a ma shumë kllak, se sa ajo e sodshmja, ere e dyta, kur asht ble ky ven pej asaj Beglereshës Nobërdës, u kanë hanrak hesapi, kejt mal, dushkajë, gurë e therra, e t’partë tonë, po ere tashti, ta zamë, veç qeky Rama i Demirit, me kazëm e “tarrakop” e ka “çelë” e e ka ba tokë pune. Pra, po due me thanë, atëherë 300 lira të atëherëshit me siguri bajnë nja 3.000 të sodit, e sot, kejt Desivojcën s’un e blen kush ner 30 mi lira… Hesapi i paçtë. Menoni mirë qeto sene e do ta shihni qi nuk e kam veç me t’kajtme po tamomile me t’nimete rizalilah! – tha Zymeri.
Pas ni pushimi të shkurtë, ku secili në “kanarin” e me “kutin e vet”, po i matke k’to fakte e argumente që i vuri në pah Zymeri, heshtjen e theu Murati:
– Po, Hazir, po – mirë e pat Zymeri pasha haktalanë, se pej athershi, qaq shumë kan ndrrue senet sa nuk mujmë na me i mat hesapet e atëherëshit me “kutin” as Kanarin e sodit.
– Kush asht iftijaqli e i “nxetë” si myshteri, bujrum e flasim! – tha Zymeri.
– Allahqe unë i kisha hi Shpijës, tokës shumicë e livadheve, po sa po ia lamë fijatin toptan nihere e tevona nashta i “bimë” ma kollaj dy vetë me dy hise! – foli Axha Rrahman.
– Paj o kush, unë i thash 90-të e jepne ere ju fijatin e juv!
– Un kisha thanë 70, boll janë! – foli Shabani i Bajramit.
– O kushë, pasha natën e vorrit, po munohna askan mos me e “shkelë n’pazar”, po, pak janë 70. Jo jo…
– Po 75, a janë boll nashta ishalla, foli Dalipi…
– Nuk e qet hesapi jo, o Dalip!
– Po bir ere ti pak ma poshtë n’pazar, o Zymer!…
– Mirë, qe ere 5 lira po i hjek, për 85, ma poshtë nuk na e qet “kalemi”!
– More, qysh po e marrë vesh, qitash për qitash, dy famili koki “t’nxet” me i ra pazarit: Rrahmani e Shabani me Dalipin?! (ata të dy palët. pohuan me kokë), A po ma leni, mue ta prej pazarin? – Foli Alia
-T’koftë, Ali! – ia la Zymeri.
Alia, pasi u menue goxha (e Babgjyshi me djemtë: Zenelin, Ramën e Ramizin, i kishin ba veshët bigë e po e vështronin njani tjetrin, kah të tjerët po “danin” Pazar me mylkin e tyre), tha – për 80 lira dukati, ju koftë për hajër ty Rrahman e juve Shaban e Dalip, e ju merrnu vesh, tevona se cilli shka e sa po jep për naj copë tokë, livadh, mal e, juve Neziroviqe, besa goxha ju duhet ere hisja e mullinit të Babë Rrahnman Demës.
– Rrahmani e Nezirovitë, pasi me pretekst u shikuan me njani tjetrin, thuaja njëzërit, u përgjigjën:
– Me hajër ishalla, e na koftë për së mbari!
U ngritën të gjithë në kamë e Babgjyshi qe duke u rrëzue po qilloj ngat Bushati e e mbajti. Së pari, ata që e “prenë pazarin”, ia shtrënguan dorën njëri tjetrit, me Zymerin Rrahmani e Shabani me Dalipin, e me Alinë, e të tanët me ta e me Babgjysh Demirin, i cili u ligështua goxha e i rrodhën dy pika loti:
– Përhajër o kusheri, e ishalla me nafakë e maju e mos u ligështo, se po e dimë mirë qi nuk asht let as për ty, po banu i fortë si Zotshpije qi je!
– Ju koftë për hajër, o Rrahman e ju o Shaban e Dalip e ishalla ia shihni hajrin kti mylki!
– Hajr Paç o Demir, e ishalla ktyne lirave tona jau sheh hajrin se tybe hallall i kemi të dy palët – foli Rrahmani.
Mbasi u qetësuan e u ulën nëpër vende të veta, Zymeri, sërish e morri “dymenin”:
– Puna e don e adeti asht ju qi e bletë e e gzofshi me tanë roptë e shpisë, me e dhanë nifarë kapari, qi me ditë se tamomile e bletë kit Mylk. Unë kisha thanë, Rrahmani nja 20 e ju dytë nja 10 lira , se ere ktyne ju vyjnë për me i nreqë letrat e vesikat…
– Po, po, mirë e kie ti! Unë nesër me kysmet ja bie!
– Era na! – tha Dalipi…
– Tash, a po na e jep izën o i Zoti i Shpisë? – foli Ahmeti i Sylës.
– Iza pej Zotit e pej meje, e banmani halla munin qi e banët!
– Jo more, shfarë muni, na kurgja ranë nuk çuem…! – tha Ahmeti. U ngritën të gjithë dhe u përshëndetën me Babgjyshin e të tanët teri te laura e oborrit, i përcollën Babë Zebeli, Axha Ramë e Baci Miz!
Në Odë meti veç Zymeri ere Demirovitët.
– Ani, qysh ju dok pazari? A jeni t’knaqun me fijatën qi e shitëm?
– Paj, pasha Zotin, unë isha kanë i knaqtë ere me 50 lira, po ty t’faleminerit, se mue e tjerve jau çele sytë, qi ky mylk qaq e ka hakin. E pardon t’koftë, se kit t’mirë nuk ta harroj kurrë, o Zymer, he vlla m’dalsh n’kit e n’dyjenë tjetër – iu falenderue Babgjyshi kusherinit.
– Hë, more se nuk bana gja. Nuk dojsha me të “shkelë” as ty e as ata qi kishin nevojë për kejt, a ni copë mylki! Veç, ishalla, ato lira t’janë t’mara e t’krefshin punë kur t’jesh mas ngushti!
– Amin, ishalla e ty t’lumtë goja!
– Nesra metën me jav pru kaparin e ti Zenel, mos u zamutllit hiç, po meniherë hinju punëve rreth letrave e vesikave, se boll punë t’zamutllavta po thojnë qi janë!
– Po more po, o Baci Zymer, se kejt ato punë duhet me i krye n’Shkup. Beriqatversën ty! – ia ktheu Babë Zeneli.
– Se u çova ere unë, o Demir, se tybe niqin punë, qi thojnë, i kam!
– Jo ‘sha Zotin, për pa e pi ni kafe, beli s’t’ke shkue!
– Po thue, a? Hajt se nuk po ta prishi se kjo ere le t’jetë kafe e përhajrimit – sërish u ul këmbëkryq Zymeri, e Babgjyshi u zgjatë kah ai dollapi me takëmin e kafes, e po i bante gati dy xhezve…
(Demirovitët: fillimi i rrëfimit, ngjarja para rrëfimeve të botuara më herët, e shkruar në fund të vitit 2021)

