Komandant Terri dhe komandant Kingji ranë dëshmorë një ditë pas Marrëveshjes së Konçulit

Kaluan 23 vite nga rënia heroike e Shaban Ukshinit–Komandant Terri dhe Sami Ukshinit–Komandant Kingji, si pjesëtarë të UÇPMB-së. 

Shaban Ukshini udhëhoqi betejën e fundit në përpjekjet për çlirimin e Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës, nga pushtuesi serb, i cili këto pjesë të trojeve etnike i ka pushtuar dhe shkëputur nga trungu amë, para shumë vitesh, shkruan Mediafokus.info

Marrëveshja e Konçulit, e vitit 2001, i dha fund luftës në Kosovën Lindore, por as tash pas 23 vitesh, gjerat në terren nuk kanë ndryshuar shumë sa i përket të drejtave të shqiptarëve.

Shqiptarët atje mbeten të diskriminuar gati njësoj, sepse Serbia nuk respekton marrëveshjen.

Në të vërtetë, pala shqiptare kishte ngritur dyshimet e saj me kohë, por ishte detyruar nga faktori ndërkombëtar që të pranonte një marrëveshje të ndërmjetësuar prej tyre.

Megjithatë, jo të gjithë komandantët e luftës për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc iu bindën marrëveshjes së Konçulit.

Një ditë pasi marrëveshja u nënshkrua, ranë dëshmorë Shaban Ukshini (Komandant Terri) dhe Sami Ukshini (Komandan Kingji), bashkë me Komandant Deltën e Kastriot Arifin, si pjesëtarë të Brigadës 113 “Ibrahim Fejzullahu”.

Shabani ishte komandant i batalionit të dytë, me seli në Bukoc, që udhëhoqi betejën për Rahovicën, që ishte dhe beteja e tij e fundit në përpjekjet për çlirimin e Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës, vijon shkrimi i Mediafokus.info

Kingji, Terri dhe disa të tjerë, pas përfundimit të luftës në Kosovë, nuk i lëshuan armët, por u rreshtuan në luftën për çlirimin e trojeve tjera etnike.

Ata vazhduan një mision thuaja të pamundur, për ta çuar tutje amanetin e të rënëve në këtë luftë dhe luftërat tjera, më herët, për çlirimin e trojeve stërgjyshore dhe bashkimin e tyre në një shtet të vetëm.

Për gati dy vite, ky formacion i armatosur, pjesë e të cilit, Shabani ishte prej fillimit, ndërsa Samiu iu bashkëngjit ndërkohë, duke ardhur prej Zvicrës, u angazhua me ngulm duke iu kundërvënë forcave serbe, me qëllimin e vetëm, për ta çliruar këtë pjesë të etnisë shqiptare.

Mirëpo, në kohën kur Bashkësia Ndërkombëtare, në krye me NATO-n, sapo kishte përmbyllur një luftë dhe nuk ishte e gatshme për të mbështetur luftëra të tjera në këtë pjesë të Ballkanit, po edhe kur Kosova sapo kish zënë të rimerrte veten dhe e kish të pamundur t’i mbështeste ata sa duhet, gatishmëria dhe sakrificat atdhedashëse të këtyre trimave nuk do rezultojnë më atë që synuan edhe gjyshërit e tyre, pavarësisht heroizmave që manifestuan në terren dhe rënies heroike të një pjese të tyre nëpër vijat e frontit. /Mediafokus.info