Mustafa: Trusti është kursim për pleqëri
Tërheqja e parave nga Trusti është bërë temë diskutimi në Kosovë. Partitë opozitare e kanë përkrahur një tjetër tërheqje të parave nga Trusti, derisa partia në pushtet ka dalë kundër, shkruan lajmi.net.
Rreth kësaj teme, lajmi.net ka kontaktuar ish-kryeministrin e Kosovës, ekonomistin Isa Mustafa.
Mustafa në prononcimin e tij tha se “Trusti është një investim për të ardhmen dhe nuk është kursim sot për nesër”.
“Njerëzit kursejnë për të pasur një siguri për kohën kur do të pensionohen, kur ata nuk mund të punojnë. Nuk kursejnë sot për nesër. Në këtë kuptim, Trusti është një investim për të ardhmen nga çdo i punësuar. Një herë është shfrytëzuar mundësia e tërheqjes së mjeteve nga Trusti për shkak të pandemisë, ka qenë situatë e rëndë, bllokadë ekonomike”, ka thënë Mustafa.
Tutje ai shtoi se, vendimi për tërheqje të parave nga Trusti lidhet me garancinë e Qeverisë për të rimbursuar qytetarët për paratë që kanë tërhequr. Kësisoj, sipas Mustafës, nëse qeveria nuk ka kapacitet për rimbursim atëherë tërheqja është problematike.
“Vendimi për tërheqje ndërlidhet me garancionet e qeverisë për të rimbursuar paratë që tërhiqen, që do të thotë se varet se a ka qeveria kapacitete për të subvencionuar konsumin e qytetarëve. Nëse qeveria nuk ka kapacitet për rimbursim, tërheqja është shumë problematike, sepse sot duket se i ndihmojmë qytetarët (kur ata punojnë dhe kanë paga çfarëdo qofshin ato) e nesër kur të dalin në pension shohin se i kanë konsumuar kursimet e tyre para kohe me vendime politike të këtyre deputetëve”, shtoi ish-kryeministri.
Më tej ai vijoi duke thënë se edhe pse e kupton opozitën që zhvillon luftë politike, megjithatë Mustafa, konsideron që opozita nuk e ka gjetur mënyrën adekuate për tu ndihmuar qytetarëve.
“Unë e kuptoj opozitën që zhvillon luftë politike, por nuk konsideroj se e kanë gjetur mënyrën më adekuate për tu ndihmuar qytetarëve duke prekur Trustin Pensional. Do të jetë praktikë shumë e keqe dhe e rrezikshme të bëhet politikë me kursimet pensionale, qoftë nga Qeveria apo nga opozita”, përfundoi Mustafa.

